
Partia Demokratike ka zhvilluar sot në orën 09:00 mbledhjen e parë të grupit parlamentar, pasi gjykata miratoi vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit.
Në mbledhjen e sotme ka qenë i pranishëm edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe anëtarë nga Komisioni i Rithemelimit.
Ndonëse nuk ka pasur një ftesë për Sali Berishën, ky i fundit ka qenë i pranishëm në mbledhje, sikundër kishte paralajmëruar ditën e djeshme.
Mbledhja është drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, dhe në krah të tij janë dy nënkryetarët e Grupit, Luçiano Boçi dhe Ervin Salianji. Në krahun tjetër ndodhet Sali Berisha, Tritan Shehu dhe Agron Shehaj.
MCN TV mëson se në mbledhjen e ditës së sotme ka munguar ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Po ashtu në mbledhje nuk kanë qenë të pranishëm deputetët Agron Gjekmarkaj , Alfred Rushaj, Flutura Açka, Grida Duma, Kasem Mahmutaj, Kreshnik Çollaku, Orjola Pampuri, Zheni Gjergji dhe Ilda Dhori.
Në sallën e mbledhjes bien në sy simbolet e reja të PD-së, të cilat janë ato të përcaktuara nga Grupi për Rithemelimin e PD.
Mbledhja e grupit parlamentar demokrat vjen pak para nisjes së seancës parlamentare që do të mbahet ditën e sotme.



