Presidenti francez, Emmanuel Macron, u përpoq të sqaronte pozicionin e tij mbi islamin, në një intervistë për Al Jazeera. Ai tha se e kupton tronditjen e myslimanëve nga karikaturat e profetit, por kjo nuk justifikon dhunën.
"Unë e kuptoj dhe respektoj që mund të tronditemi nga këto karikatura. Unë kurrë nuk do të pranoj që mund të justifikojmë dhunën fizike për këto karikatura dhe në vendin tim do të mbroj gjithmonë lirinë e mendimit, lirinë për të shkruar dhe vizatuar”, tha Macron.
Ai shtoi se shtypi francez është i lirë të botojë atë që dëshiron dhe se ajo që botohet nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të qeverisë.
Deklaratën e tij për “krizën e islamit” e cila ngjalli zemërim në botën myslimane, Macron tha se ia kanë shtrembëruar.
"Kam parë shumë njerëz në ditët e fundit që kanë thënë gjëra të papranueshme për Francën, duke vërtetuar të gjitha gënjeshtrat e thëna për ne, për ato që kisha thënë dhe duke u bërë bashkëpunëtorë të heshtur deri me më të keqen", tha ai për Al Jazeera.
Franca, tha ai, nuk po lufton islamin por islamizmin radikal.
"Sot, në emër të islamit dhe duke shtrembëruar këtë fe, ekstremistët e dhunshëm po bëjnë më të keqen," shtoi ai.
Komentet e Macron u pasuan me protesta anti-franceze në vendet me shumicë myslimane dhe me bojkot të produkteve franceze.
Tre sulme kanë ndodhur që prej asaj kohe duke përfshirë një sulm vdekjeprurës me thikë në një kishë në Nisë.



