20 minuta pas nisjes së provimit të matematikës është publikuar në rrjetet sociale varianti A dhe B i tezës. Reporterja e MCN TV Anxhela Celibashi raporton se “nga burimet e mia, kryesisht këto provime bëhen publike në rrethe. Nuk bëhet fjalë për Tiranën”. Reagimet kanë qenë të vakëta nga Ministria e Arsimit, duke deklaruar se bëhen qëllimisht nga e njëjta dorë, duke konfirmuar se do kryhen hetime. Por referuar viteve të kaluara nuk ka pasur vendosje para përgjegjësisë të personave që kanë shkelur rregullin provimeve të maturës. Provimi i matematikës ndër vite është konsideruar si më i vështiri i maturës shtetërore, përkundër provimit të gjuhës së huaj, që është konsideruar më i lehti. Është një numër i konsiderueshëm maturantësh që kanë vendosur të ndjekin studimet jashtë vendit. Por nga vëzhgimi i MCN një pjesë e mirë e maturantëve, mes të cilëve edhe ekselentë, do të vijojnë studimet në Tiranë, të fokusuar kryesisht drejt informatikës dhe shkencave kompjuterike.



