Gazetarja shqiptare në Itali, Alba Kepi, e sheh me shqetësim marrëveshjen për pranimin e emigrantëve afrikanë nga Italia dhe thotë se ajo që ndodhi orët e fundit ishte një lloj befasie edhe për publikun italian, pasi ai që ishte halli më i madh, menaxhimi i fluksit të emigrantëve ilegalë u shkarkua te Shqipëria.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, Kepi tha se ka një historik deri te mbërritja e këtij vendimi duke kujtuar se në muajin gusht, Kryeministria italiane Giorgia Meloni bashkë me familjen i kaloi pushimet në Shqipëri, për të vijuar në fillim të tetorit me një tur pune të ministrave të kabinetit “Rama” që biseduan për të ngritur në këmbë një sërë projektesh strategjike dhe tashmë përballemi me një projekt të tillë.
Lidhur me kampet që do të ngrihen në Shqipëri, Kepi sqaroi se gjithçka do jetë në juridikisionin italian, ku në portin e Shëngjinit do të bëhet identifikimi i emigrantëve, pasi do bëhen dhe kontrollet shëndetësore, do të transferohen në Gjadër, ku do të jetë qendra e qëndrimit të përkohshëm deri në pritjen e shqyrtimit të kërkesave të tyre për të drejtën e azilit.
Gjithçka do të jetë në juridiksionin italian, por Meloni tha se ka kërkuar bashkëpunimin e qeverisë shqiptare për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, për të hequr përgjegjësinë nëse ndodh diçka, ku do të jetë përgjegjësi jo vetëm e shtetit italian, por edhe Shqipërisë.
Askush nuk mund të bëhet garant se çfarë mund ë ndodhë. Koha e qëndrimit të tyre nuk dihet, edhe në Itali vijnë për pak kohë por qëndrojnë.
Mjaft emigrantë edhe kur ka rikthim, marrin ndihmën e institucioneve ndërkombëtare, që bëjnë rikthimin e kërkesave.
Sot nuk ka afat, ata mbërrijnë dhe nuk dihet se kur do të rikthehen, ku do të zbarkojnë apo sa do të qëndrojmë.
Nuk kemi asnjë transparencë komunikuese dhe informuese, ndaj mund të bëjmë çfarëdo lloj aludimi lidhur me atë që kjo marrëveshje përmban.
Nuk kemi të njohur as një garanci nga qeveria italiane. Një nga problematikat madhore të Italisë është siguria kombëtare.
Mes emigrantëve ka nga ata me background kriminal të rrezikshëm, mes tyre edhe pjesëtarë të ISIS që kanë ardhur në Itali dhe kanë kaluar në Belgjikë apo Francë, ku më pas kanë kryer vepra terroriste.
Meloni ka thënë se unë vërtetë po i çoj në Shqipëri, por nuk jam aq raciste sa të lë në Shqipëri personat e brishtë.
Ajo thotë se i marrë këto kategori të brishta dhe ju lë personat e shëndetshëm, që mund të kenë një risk të tillë si trafikantë, kriminelë, kontrabandistë.
Shoh absurde që bëhet një marrëveshje e tillë dhe nuk shohim as ministrin e Brendshëm, as atë të Mbrojtjes, as Presidentin dhe nuk kemi as një diskutim parlamentar.
Në një vend si ne që kemi një kriminalitet të lartë nuk është një vendim i mirëmenduar.
Ndër të tjera shtoi se interesat personale të Edi Ramës kanë qenë mjaft të dukshme, duke folur për mjaft egoizëm dhe protagonizëm, duke kujtuar rolin e tij që në ngritjen e kampit të muxhahedinëve apo gjatë pritjes së afganëve.
Sipas saj, Rama është parë në çdo konferencë ndërkombëtare që shfaq një ego të dukshme për protagonizëm, por në një kohë që e ka kaluar vendin e tij në kushtet e një regjimi jodemokratik.
Në fillim të tetorit një numë i madh ministrash të qeverisë Rama shkuan në Itali dhe patën takime përballë ministrave të Melonit, ku u diskutuan një sërë projektesh strategjike.
Qeveria italiane është ofruar të kryejë projekte të tilla por me një shkëmbim të tillë duke kërkuar mikpritjen e emigrantëve.
Meloni ka kërkuar të shpëtojë fytyrën e saj dhe qeverinë e saj, nëpërmjet një marrëveshje të tillë. Emigrantët do të merren nga ujërat në detit dhe do të devijohen në portin e Shëngjinit.
Me këtë marrëveshje, Italia nuk i lejon të zbresin në portin e saj, por do i spostojë në portin e Shëngjinit. Mendoj se kemi hyrë në një rrugë qorre.
Vërtetë thuhet se nuk do të lejohen të dalin, por kush jemi ne që ti mbajmë në një regjim burgu.
As Italia nuk i ka mbajtur emigrantët në regjim burgu, natyrisht kanë rregulla dhe orare kthimi.
Mos të harrojmë se janë emigrantë ilegalë.



