
Sulmi ndaj shkrimtarit Salman Rushdie hapi debatin mbi mungesën e mbrojtjes për një njeri që ka jetuar për mbi 30 vjet nën kërcënimin e ekstremizmit islamik. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka akuzuar në mënyrë eksplicite Iranin se, në mos më shumë, të paktën ka frymëzuar sulmin ndaj autorit të “Vargjeve Satanike”.
"Institucionet iraniane kanë nxitur dhunë kundër shkrimtarit për vite me radhë dhe mediat shtetërore ditët e fundit janë gëzuar për sulmin ndaj tij. E gjithë kjo është e neveritshme", tha Blinken në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti i Shtetit. Por Irani “kategorikisht” mohon çdo lidhje me agresorin.
Shtëpia e Bardhë dënoi "sulmin e tmerrshëm" në tokën amerikane dhe tha se po lutej për Rushdie. Nuk ka informacion zyrtar mbi motivin e sulmit, por sulmuesi, një 24-vjeçar i lindur në Nju Xhersi nga prindër libanezë, duket se është i afërt me ekstremizmin shiit dhe pasdaranët iranianë.



