Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci, për raportin e fundit të DASH i cili shigjeton probleme me drejtësinë, thotë se nuk duhej pritur një raport i tillë pasi problematika të tilla si korrupsioni, shihen dhe diskutohen çdo ditë dhe se tashmë thuhen dhe në gjuhë të huaj.
Sa i takon çështjes së patronazhistëve, Beci deklaroi për MCN Live, se nuk ka lidhje me pagesat që iu bëhet këtyre personave, por se cenohet çdo e drejtë e individit dhe mund të bëhet shkak për shantazhim.
Sipas tij, raportet e DASH ndër vite nuk janë copy paste, por se në to përcaktonte defektet, por kishte dhe një fjali inkurajuese se ka përpjekje dhe rezultate dhe se në raportin e fundit, nuk ka diçka të tillë.
Sa i takon luftës kundër korrupsionit, nuk luftohet me një arkë peshku, nëse është marrë apo jo. Ka disa probleme që duhen sqaruar dhe saktësuar me vetë argumentet që janë aty brenda. Është viti i gjashtë i reformës në drejtësi, ka zero rezultat. Duhet të kemi në vëmendje edhe mënyrën tonë se si qasemi ndaj reformës. Duket si një fabul që nuk është realizuar kurrë. Pavarësia e gjyqësorit, kemi një përcaktim dhe saktësim që nuk është rastësor dhe i gabuar. DASH thotë se qeveria vijoi procesin për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke dhënë dhe numrin e të shkarkuar. Pavarësia e gjyqësorit? Si mund të kemi pavarësi kur vetingun e bënë qeveria? Mos vërtetë thotë se ka ndërhyrje të qeverisë në drejtësi që nuk jep rezultat. Nëse kontrollohet dhe kryhet nga qeveria nuk kemi rezultat. Nuk mundet qeveria të diktojë prokurorët dhe gjyqtarët që do gjykojnë po këtë qeveri.
Sipas Becit, në raportin e DASH, vihet re për të ndarë organin e hetimit dhe gjyqësor, duket sikur prokuroria ka bërë gjithçka mirë, por ka ngecur në gjyqësor.
Në rast se funksionon sistemi i drejtësisë, funksionon si një i tëri. Këtu është një ansambël që duhet të funksionojë në mënyrë perfektë, për të patur rezultate konkrete. Akuzat e ngritura ndaj disa ish-zyrtarëve, është si lëvdatë për të vijuar më tej. Janë 6 vjet që janë të humbura në reformën në drejtësi. Njerëzit kanë një jetë biologjike, reformat duhen bërë më të menduara edhe sa i takon rezultateve konkrete që paraqesin. Nëse vazhdohet kështu, viti tjetër do jetë më i ashpër se këtë vit.
Beci deklaroi se raporti i DASH konstaton se çdo pjesë e sistemit demokratik ka problem dhe se shkelet çdo lloj norme që përkufizon demokracinë.
Ndër të tjera tha se raportet e mëparshme ka qenë shumë më pozitive se sot dhe se në këtë raport nuk evidentohen suksese.
Beci shtoi se stoku në Gjykatën e Lartë dhe mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese konstatohet, por nuk ndalet në politizimin e gjyqtarëve dhe mënyrën se si emërohen ata gjë që siç tha ai nuk lë vend për të pasur pavarësi.



