Ish-zv.ministri i Jashtëm Anton Berisha tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se deklaratat e Kurtit për hapjen e Urës së Ibrit nga Albin Kurti, bëhen nga ky i fundit për të bërë një zhurmë pseudo-patriotike dhe për të shtyrë axhendën elektorale. Berisha vuri në dukje se hapja e Urës së Ibrit nuk sjell asnjë përparësi, përveç tensionimit të situatës. Ai vë në dukje se Kurti është në dijeni që s’mund të bëjë asgjë, dhe thjesht po sfidon perëndimin.
“E shoh si vazhdimësi të politikës Kurti, që shfrytëzon situatën në Veri për të konsumuar një mandat. I gjithë dialogu i ka shkuar duke u marrë me këtë krizë, dhe është kalimi prej një krize në tjetrën. Të gjitha veprimet e tij kanë qenë artificiale, pseudo-patriotike. Në thelb kjo politikë ka sjellë përballjen e qeverisë së Kosovës më bashkësinë ndërkombëtare, duke e dobësuar pozicionin, besueshmërinë dhe seriozitetin e Kosovës në raport me SHBA-të dhe BE-në. S’ka të bëjë kjo me Vuçiçin aspak. Dialogu zhvillohet për shkak se ka një vendim të Kombeve të Bashkuara, ka një kërkesë të SHBA-ve dhe BE-së. Të them të drejtën s’e marr seriozisht Vjosa Osmanin dhe deklarimet e saj. Ka qëndrime momentale, në varësi të humorit aktual. Asnjë përparësi s’ka hapja e Urës së Ibrit, përveç tensionimit të situatës, sepse mirëmbesimi s’krijohet me veprime të njëanshme. Kurti de facto ka sabotuar procesin. Mban qytetarët me tema të kota, artificiale, deri në procesin zgjedhor, me një diskurs primitive, të kërkojë edhe një tjetër mandat. Kjo s’ka qenë betejë me Serbinë, por me partnerët ndërkombëtarë. Nuk është në axhendën e Kurtit politika shtetërore që të përforcojë Kosovën dhe marrëdhëniet me vendet perëndimore. Kurti është në dijeni të plotë të kufizueshmërisë, sepse mandati i KFOR-it bazohet në rezolutën e OKB-së, që mbipeshon mbi rregulloren, Kushtetutën e brendshme. Asgjë s’mund të bëjë Kurti. Ai i bën këto veprime duke e ditur që s’mund të bëjë asgjë, por do bëjë një zhurmë, pseudo-patriotike, për të shtyrë axhendën elektorale. Kurti po sfidon perëndimin me një model Lindor!”
Berisha tha se Vjosa Osmani ka zbehur autoritetin e Presidencës, ndërsa u pyet për incidentin e kryetares së shtetit në Maqedoninë e Veriut.



