
Ministri i Shtetit për Evropën pranë Ministrisë së Jashtme Federale në Gjermani, Michael Roth, thotë se Bashkimi Europian duhet të bëhet më aktiv në Ballkanin Perëndimor. Në një shkrim të publikuar së fundmi, Roth analizon marrëdhëniet e BE me këtë zonë të rajonit dhe dinamikat gjeostrategjike që mund të sjellin ndikime në të.
“Bashkimi Evropian duhet të bëhet më i dukshëm në rajon si dhe të shfrytëzojë më fort ndikimin dhe mundësitë e tij të formësimit. Të përafrohesh me Bashkimin Evropian nuk do të thotë asfare të jesh i detyruar të ndërpresësh marrëdhëniet politike, ekonomike dhe kuturore me shtetet e tjera. Por çdo vakuum politik që u krijojmë evropianeve dhe evropianëve, do të mbushet pashmangshmërisht nga të tjerë, që janë të interesuar më shumë për instabilitetin dhe që vënë në pikëpyetje modelin tonë të një rendi demokratik të orientuar nga vlerat e të mbështetur në rregulla. Kina është aktive në rajon dhe po aktivizon investime strategjike para së gjithash në infrastrukturë. Rusia kuron historikisht marrëdhënie të ngushta me vendet e krishtërimit ortodoks dhe krijon varësi përmes furnizimit me energji dhe armatime. Disa shtete arabe kërkojnë një identifikim më të qartë të islamit konservativ, i cili nuk korrespondon me islamin e orientuar kah perëndimit në Ballkan”, thotë ai.
Roth analizon se pavarësisht se në zemër të Europës, Ballkani Perëndimor vijon të mbetet politikisht jashtë saj.
“Sepse Ballkani Perëndimor nuk është aspak oborri i pasmë i Evropës, përkundrazi ai është atrium i shtëpisë evropiane. Ky rajon rrethohet nga një sërë shtetesh anëtare të Unionit - gjeografikisht ai ka qenë gjithherë në zemër të Evropës, vetëm politikisht vazhdon të mbetet jashtë”, shprehet Roth duke u ndalur në diskutimin e javëve të ardhshme rreth perspektivave të anëtarësimit.
Duke anlizuar progresin e Shqipërisë dhe Serbisë, Roth e vë theksin te marrëdhëniet qeverie-opozitë.
“Shqipëria ka ndërmarrë një reformë të thellë e të pashembullt në drejtësi. Nëse rezulton e suksesshme ajo do ta çojë vendin shumë përpara, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka arritur që, pas vitesh të tëra stanjacioni, pas protestave në rrugë e një ndërrimi - në fund të ditës - të paqtë të pushtetit, të përmirësojë qartësisht marrëdhëniet me fqinjët dhe është duke punuar tanimë me vrull programin e reformave. Por në të dyja vendet, qeveritë reformuese janë vënë në shënjestër të vazhdueshme nga opozita. Për qeverisësit - e me gjasë edhe për ndokënd prej qytetareve e qytetarëve - do të kishte qenë padyshim më e lehtë të pranonin sistemin e patronazhit dhe të korrupsionit, se sa të luftonin për ta kapërcyer atë”, shprehet ai.
Roth e konsideron Ballkanin Perëndimor si guri i provës për suksesin e qëndrueshëm të modelit evropian, i cili lidh demokracinë, lirinë dhe shtetin ligjor me sigurinë dhe mirëqenien.



