
Liderët e Bashkimit Evropian dhe liderët nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të takohen sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Bërdo afër Kranjit në Slloveni.
Në këtë Samit do jetë prezentë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Albin Kurti.
I organizuar nga presidenca sllovene e Këshillit në Brdo pri Kranju, samiti BE-Ballkan Perëndimor do të mbledhë udhëheqës nga shtetet anëtare të BE-së gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Kosova.
Charles Michel, President i Këshillit Evropian, do të kryesojë samitin. Presidenti Michel dhe Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, do të përfaqësojnë BE -në.
Në këtë samit 27 shtetet anëtare të BE përfshire dhe skeptikët si Franca e Holanda, pritet të japin një mesazh të qartë pro nisjes zyrtare të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Nga njëra anë, BE-ja pritet të përsërisë përkushtimin për perspektivë evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe po ashtu vendet e rajonit të përsërisin orientimin e tyre drejt BE-së.
Mësohet se të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së janë pajtuar me tekstin e draftit të deklaratës që do të miratohet në këtë samit. Në të thuhet se liderët e BE-së përshëndesin përkushtimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor ndaj perspektivës evropiane, që sipas këtij dokumenti, “është në interes strategjik dhe mbetet një zgjedhje e përbashkët strategjike”.
Sikur edhe në deklaratat e mëhershme nga samitet e tilla edhe kësaj radhe do të përsëriten thirrjet për respektimin e parimeve të demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë së mediave, shoqërisë civile, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e pakicave dhe kritereve tjera të cilat janë parime themelore të BE-së.
Ka pasur përpjekje të mëdha nga disa shtete anëtare që në deklaratë të përmendet qartë zgjerimi i BE-së. Në fund, shtetet anëtare janë pajtuar që kjo të përmendet, por krahas kësaj edhe kushti i zhvillimit të brendshëm të BE-së për të pranuar anëtarë të rinj.
“BE-ja rikonfirmon përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit dhe vendimet në atë drejtim, bazuar në reformat kredibile të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimet e meritave individuale. Prandaj, do të intensifikojmë më tej angazhimin tonë përpara në rajon drejt transformimit politik, social dhe ekonomik, duke njohur përparimin e arritur nga Ballkani Perëndimor”, thuhet në versionin e fundit të draftit të deklaratës, që pritet të miratohet në Bërdo.
Sipas kësaj draft deklarate, “në këtë kontekst, ne nënvizojmë rëndësinë që të sigurohet që BE-ja të ruajë dhe thellojë zhvillimin e vet, përfshirë edhe kapacitetet për të integruar anëtarë të rinj”.
BE-ja gjithashtu do të kërkojë nga vendet e rajonit që të vazhdojnë të përshtatin qëndrimet e tyre në politikën e jashtme me qëndrimet e përbashkëta të BE-së. Po ashtu nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që në dokument përmenden si “partnerë”, kërkohet që të bëjnë më shumë për t’u shpjeguar qytetarëve rëndësinë e institucioneve evropiane dhe faktin që BE-ja pa asnjë dyshim është partnerja më e afërt, investitorja kryesore dhe donatorja më e madh e ndihmës për rajonin.
Kjo thirrje vjen për shkak se, në disa shtete të rajonit ekziston përshtypja se vendet tjera kanë ndihmuar më shumë se Bashkimi Evropian.
“Niveli i paparë i mbështetjes duhet të jetë në tërësi i dukshëm dhe i njohur nga partnerët tanë edhe në komunikimin e tyre publike”, thuhet në dokument.
Nga teksti i këtij drafti shihet po ashtu se BE-ja do të kërkojë nga vendet e rajonit që të jenë të përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura mes tyre.
“Hapat e mëtejmë të vendosur nevojiten për të forcuar pajtimin dhe stabilitetin rajonal, sikur edhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje finale, përfshirëse dhe obliguese të mospajtimeve bilaterale mes partnerëve dhe çështjeve që janë të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe Marrëveshjen për suksesionin”, thuhet në mes tjerash në tekstin e këtij draft-dokumenti”, raporton REL.
Samiti i Bërdos sot do të ketë në fokus të ardhmen e rajonit, por pritet të diskutohen edhe një sërë temash me interes ndërkombëtar si: marrëdhënia me Kinën, situata e pasigurt në Afganistan, marrëdhëniet e trazuara me SHBA-në për shkak të mosmarrëveshjeve me Francën për aleancën AUKUS në Paqësorin Jugor dhe rritja e çmimeve të gazit.



