
Deputeti i PD Dashnor Sula deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN TV se VKM-ja e Ramës për ndërtimet pa leje u bë me qëllim amnistimin e klientëve të qeverisë, për të mos i dhënë mundësi drejtësisë që të veprojë.
Sula e konsideron mashtrim dhe propagandë qëndrimin e Ramës, duke u shprehur se si kryeministri ashtu edhe kryetari i bashkisë Veliaj kanë pasur të gjitha mundësitë dhe resurset për të bënin kallëzime penale për kullat dhe ndërtimet e tjera pa leje.
Kjo që deklaron kryeministri është një mashtrim, ose një rrenë e madhe sa vet kryeministri. Po ju deklaroj me përgjegjësi të plotë, si politikan, si qytetar dhe ish-prokuror, që çdo kallëzim që është adresuar pranë Prokurorive pranë shkallës së parë janë marrë në shqyrtim dhe janë gjykuar. Z. Bardhi deklaroi 3400 e disa qytetarë që i janë nënshtruar procesit gjyqësor dhe janë dënuar. Nuk ka pasur kallëzime penale për persona për të cilët ka qenë të interesuar vet z.Rama, vet njerëz të z.Veliaj. Kush e pengoi Ramën, kryetarin e bashkisë, IKMT-në të bënin kallëzime penale për kullat, apo ndërtimet e tjera pa leje në qendër të Tiranës. Të jeni të sigurt që kullat në qendër dhe ndërtesat e mëdha te liqeni, Liqeni i Thatë, Parku i Lodrave, janë kate shtesë pa leje, nuk ka si të ishte ndryshe, në sytë e bashkisë, të qeverisë.
Kjo qeveri ka pasur të gjitha mundësitë, resurset që të kontrollonte qofte edhe një metër të ngritur jashtë lejes. Me kryeministrin tonë është sa për të qarë aq për të qeshur. VKM-ja që doli u bë vetëm me qëllim për të amnistuar dhe për t’u dhënë mundësi…Nëse z.Rama do të kishte respektimin e ligjit e kishte shumë të thjeshtë. Para se të nxirrte VKM-në për të amnistuar klientët e qeverisë, mund të verifikonte shtesat e kateve dhe t’i çonte për ndjekje penale. Ai nxori VKM-në për t’i amnistuar dhe për të mos i dhënë mundësinë drejtësisë të veprojë”.



