Tashmë është zyrtare, Sheshi Skënderbej do të kthehet në një parkim nëntokësor. Me anë të një vendimi të Këshillit Bashkiak të Tiranës gjatë mbrëmjes të kësaj të mërkure u vendos se nën sheshin historik të kryeqytetit do të ndërtohet një parkim nëntokësor me dy kate.
Ky parkim pritet të ketë një kapacitet për 300 makina dhe do të administrohet nga vetë Bashkia. Gjithashtu Sheshi Skënderbej, në sipërfaqen e tij, do të shërbejë eksluzivisht si hapësirë pedonale ku me sa duket qarkullimi i automjeteve do të jetë i limituar.
Gjatë mbledhjes të Këshillit kreu i Bashkisë Veliaj u prononcua edhe për një tjetër pikë të rëndësishme të rendit të ditës, mbi ngritjen e një Task-Force për krijimin e asambleve dhe zgjedhjen e administratorëve të pallatave në kryeqytet. “Ky vendim zgjidh një problem madhor të komunitetit, qe shpesh herë ka rezultuar në konflikt mes banorëve të një pallati dhe detyrim ligjor që në 25 vite tranzicion nuk ka mundur të përmbushet” - u shpreh Veliaj. Nga ana tjetër kjo iniciativë u ironizua nga demokratët si orvatje e Veliajt për krijimin e një liste emërore të elektoratit socialist.
Ndërkohë, Këshilli Bashkiak votoi edhe buxhetin afatmesëm 2016-2018, por vetëm me votat e maxhorancës.



