
Një nga organizatat më të mëdha të të rinjve në SHBA po shqyrton deklarimin e falimentit. Boy Scoutët e Amerikës kanë kontaktuar firmën ligjore Sidley Austin LLP, për t’u konsultuar mbi një gamë të gjerë opsionesh, përfshirë edhe falimentin.
Vendimi vjen në një moment kur ogranizata po përballet me anëtarësimin në rënie dhe rritjen e kostove ligjore për paditë mbi mënyrën se i ka trajtuar akuzat për abuzim seksual.
Të mërkurën, menaxheri i përgjithshëm i Boy Scouts, Michael B. Surbaugh, me anë të një deklarate njoftoi se "ne po punojmë me ekspertë për të shqyrtuar të gjitha opsionet e mundshme për të bërë të mundur që programimi lokal dhe kombëtar i Boy Scout of America të vijojë i pandërprerë”.
"Siç e dini të gjithë, ne gjithmonë jemi kujdesur për viktimat dhe u besojmë atyre, ne besojmë te kompensimi në mënyrë të drejtë dhe kemi paguar për këshillim të pakufizuar, nga një palë e zgjedhur prej tyre, pavarësisht sa kohë ka kaluar që nga një abuzimi”, ka shtuar Surbaugh.
Ekspertët ligjorë thonë paraqitja e kërkesës për falimentim do të "shuajë" të paktën 140 padi të ngritura kundër organizatës për sjellje të keqe të skautëve.
Bojskautët e Amerikës është një nga organizatat rinore më të mëdha në SHBA. E themeluar në shkurt të vitit 1910, ajo ka mbi 2.7 milionë anëtarë të rinj dhe rreth 1 milion të tjerë, vullnetarë mbi 18 vjeç.
Që prej vitit 1994, ka pasur rreth 2 000 raste abuzimesh të raportuara brenda radhëve të kësaj organizate. Në vitin 1988, BSA krijoi një program për edukimin dhe parandalimin e abuzimit seksual, i quajtur Programi i Mbrojtjes së Rinisë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit.
Në vitin 2010, një gjykatë vendosi që BSA të dëmshpërblejë me 18.5 milionë dollarë një skaut, i cili ishte abuzuar në vitet ’80. Ky ka qenë dëmshpërblimi më i madh në SHBA, që i është caktuar një paditësi të vetëm për një rast abuzimi me fëmijë.



