
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka refuzuar qartë kërkesën e Komisionit Europian për hapje të shpejtë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Lajmin e bën të ditur DW, e cila i referohet gazetës së njohur gjermane, Süddeutsche Zeitung". Sipas kësaj të fundit, Merkel e ka bërë të ditur refuzimin e saj në një seancë të komisionit parlamentar të Bundestagut për Europën. Sipas Merkel, vendimi në lidhje me negociatat nuk pritet para tetorit.
Me këtë kancelarja gjermane del qartazi kundër partnerit në koalicion, Partisë Socialdemokrate, SPD, që përkrah votimin pro për hapjen e negociatave në Këshillin e BE më 18 qershor.
Ministri gjerman i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth (SPD) është një nga politikanët gjermanë që është angazhuar fort javët e fundit për hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit. Ai ka theksuar në intervista të ndryshme, se angazhimi i Shqipërisë për reforma duhet të vlerësohet.



