
I ngarkuari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, gjatë vizitës që bëri sot në Kosovë, tha se ajo çka ka arritur Kosova deri më tani është e jashtëzakonshme.
Palmer lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi, ka potencuar se përparimi në dialog hap mundësi të reja.“Përparimi në bisedime me Serbinë hap mundësi të reja të zhvillimit ekonomik. Qeveria e re duhet t’i gjallërojë negociatat. Negociatat me Serbinë kanë qenë të komplikuara. Por, historia e Kosovës ka qenë gjithmonë e tejkalimit të sfidave dhe kompromiseve. Shtetësia juaj është e pakthyeshme dhe tani ju duhet normalizimi për ta kthyer potencialin e madh të këtij vendi. Mbështetja e ShBA-së për pavarësinë e Kosovës është solide. Ju meritoni të mos qëndroni prapa shteteve të bashkuara, por krah për krah me ne. Kosova i ka të gjitha dhe i mungon vetëm marrëveshja e normalizimit të raporteve me Serbinë.
Ka pasur mos transparencë në bisedime. Duhet të kenë hapësirë për t’i negociuar idetë, pa pasur frikë nga rreziku i ndëshkimit. SHBA nuk imponon marrëveshje dhe ajo duhet të arrihet nga dy vendet respektive dhe të miratohen në dy Kuvendet. Për negociatorët po thotë duhet të kenë hapësirë për t’i eksploruar idetë”, shtoi ai.
Ai në bashkëbisedim me studenentë dhe përfaqësues të OJQ-vë, ka theksuar se pa u arritur një marrëveshje me Serbinë, nuk sheh ndonjë mundësi që Kosova të integrohet në sistemin ndërkombëtar.
“Zgjidhje një herë e përgjithmonë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmes normalizimit të plotë mbetet prioritet strategjik i SHBA-së, që do të ketë ndikim në popullin këtu por edhe në rajon, sepse do t’i çliroj të dy vendet nga tradita e armiqësisë. Ne nuk shohim asnjë mundësi të integrimit të vendit tuaj në sistemin ndërkombëtarë që nuk përfshinë pajtimin me Serbinë”, u shpreh Palmer.
Palmer, tutje ka thënë se shteti serb duhet të ndalojë fushatën për tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës.
“Serbia duhet të ndalojë fushatën e saj për tërheqjen e njohjes, Serbia duhet të ndal ngacmimin e zyrtarëve serbë të Kosovës. Vuçiç e di se kurrë nuk do të hyjë në BE, pa e zgjidhur problemin me Serbinë. Prandaj le t’i dyfishojmë përpjekjet. Ne jemi gati të eksplorojmë e të bisedojmë me palët, të kjo është një mundësi e hatashme. Ju nxis ta shfrytëzoni këtë mundësi”, tha ai, derisa foli edhe për afate kohore për arritjen e marrëveshjes.
“Sa i përket afatit kohor mendoj se është një ndjenjë e urgjencës, edhe vetë ambasadori Grenell e ka përmendur se duhet të ketë një far lloj ujdie në mënyrë sa më të shpejtë. Momentalisht e keni një vëmendje shumë të madhe nga SHBA dhe e keni edhe ambasadorin Grenell që është emisar i posaçëm dhe angazhimi ynë nuk do të përfundojë në ditën e marrëveshjes, duam që të arrihet një marrëveshje që përbën normalizim të plotë të marrëdhënieve”, tha ai.
Palmer ka folur edhe për qeverinë e ardhshme, ku u shpreh se SHBA shpreson në një qeveri të gatshme për sfidat e ardhshme.



