Prej tri ditësh vijon të mbetet aktiv zjarri që ka përfshirë fushën e grumbullimit të mbetjeve në Mbrostar të Fierit.
Edhe pse zjarrfikëset kanë bërë të mundur shuarjen e disa vatrave, zjarri rindizet për shkak të vatrave në thellësi të mbeturinave.
Kjo për faktin se zjarri depërton në thellësi të mbeturinave dhe uji nuk mjafton për ta fikur, por duhet të futen në punë mjete të tjera për të lëvizur dhe hapur vatrat e zjarrit.
Edhe pse ndodhet rreth 3-4 km larg qendrës së qytetit të Fierit ndikimi që ka era ka bërë që re të dendura tymi të 'pushtojnë' qytetin.
Ndërkohë për të shuar flakët po punon Bashkia dhe zjarrfikëset e Fierit, Patosit e Roskovecit.
Në vendin e ngjarjes për të monitoruar nga pranë situatën është parë mbrëmë edhe kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi.



