
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ka thirrur mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit .
“Pasi u njoha me listën e kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor, përcjellë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me datë 27.11.2018, sot më datë 30.11.2018, vendosa të thërras Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve. Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve duhet të zgjedhë 6 (gjashtë) anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, thuhet në njoftimin zyrtar, sipas të cilit mbledhja zhvillohet më 12 dhjetor.
Ndërkohë që pesë anëtarët e tjerë të KLGJ-së, të votuar nga Kuvendi muaj më më parë, vijnë dy nga radhët e avokatisë, dy nga pedagogët e Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës dhe një nga shoqëria civile.
Pak ditë më parë u hap rruga dhe për formimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili po kështu përbëhet nga 11 anëtarë, 5 prej të cilëve të zgjedhur nga Kuvendi.



