
Lojërat Olimpike që po mbahen në Korenë e Jugut duket se po i zbusin marrëdhëniet me fqinjin e veriut. Presidenti Moon Jae-in është ftuar të takohet me udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong un, në Phenian.
Një letër nga Kim Jong Un-i, ku shprehet gatishmëria e tij për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy Koreve iu dorëzua Presidentit Moon nga motra e udhëheqësit koreano-verior gjatë një dreke të shtruar për delegacionin olimpik të Koresë së Veriut. Sipas një zëdhënësi të presidentit, motra e Kim Jong-un kishte përcjellë gojarisht ftesën që Moon të shkojë në Phenian për takim me udhëheqësin koreano-verior sa më parë që të bëhej e mundur. Moon e ka pranuar ftesën dhe është shprehur se do ta realizojë, duke krijuar kushtet për takimin në të ardhmen.
Ftesa hap mundësinë për takimin e parë në 10 vjet mes udhëheqësve të dy Koreve. Udhëheqësi koreano-verior Kim Jong un nuk është takuar me asnjë udhëheqës botëror me peshë që kur mori pushtetin në dhjetor 2011.



