Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, thotë se aksioni opozitar arriti që të bllokojë punimet e Kuvendit dhe se liget e miratuara janë të jashtëligjshëm.
Duke folur për MCN Live, ai deklaroi se opozita i ka treguar shoqërisë shqiptare, gjithë të interesuarve dhe partnerëve ndërkombëtarë, se kemi të bëjmë me shkelje kushtetuese të të drejtave të opozitës në parlament.
Sipas tij, nëse shkelet ligji më i rëndësishëm i vendit dhe të drejtat e opozitës, asgjë nuk mund të ekzistojë pa opozitën.
Në një regjim autoritar nuk ka gjykata të pavarura dhe media të pavarura. Themeli është të drejtat kushtetuese të opozitës.
Këtu kemi të bëjmë me ABC e demokracisë dhe jo me kërkesa kapriçoze. Shqyrtimi i nismave ligjore të opozitës është detyrim kushtetues, jo që t’i votojnë, por ti marrin në shqyrtim, 32 nisma rrinë në sirtar.
Këta e trajtojnë opozitën sikur nuk është. Ka 8 nisma për komisione hetimore të cilat janë automatike në momentin që ¼ firmosin për to.
8 komisione refuzohen se Rama nuk do të kontrollojë. Është dhe e drejta e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj.
Nëse një opozitë nuk lejohet që të krijojë këto tre funksione, nuk është më një parlament demokratik.
Deputetët e PS nuk mund të kontrollojnë qeverinë e tyre, por opozita. Kryeministri nuk respekton thirrjet për interpelancë dhe komisioni i reformës zgjedhore, duhet të jetë gjithëpërfshirës.
Nuk është e vërtetë që bllokimi i Kuvendit nuk është arritur, pasi kalimi i ligjeve deri tani është i jashtëligjshëm.
Pasi rregullorja thotë se komisionet kryhen online, kur kemi një situatë të jashtëzakonshme, atëherë mbledhja është nul. Nga ana ligjore ne e kemi bllokuar.
Sot shqiptarët shohin një grup opozitar shumë të bashkuar. Rama bazohet në dhunimin e vullnetit të shqiptarëve dhe në goditjen e opozitës.
Ky bashkim i grupit parlamentar, tregon një opozitë të bashkuar dhe pas goditjes që na ka dhënë nuk mendonte se grupi i opozitës do shkonte drejt bashkimit.
Propozimin e Fatmir Mediut për krijimin e një “federate opozitare”, me në krye një grup deputetësh dhe të krijojmë kontakte me ndërkombëtarët, Bumçi e sheh me vend.
Sipas tij, tashmë duhet të dilet me një listë ku të gjithë deputetët shkrihen në një listë të vetme.
Ka vend që të diskutohet dhe ne përherë kemi dalë me koalicion. Bashkimi i PD po ndodh dhe ai ka ndodhur në terren në masën më të madhe siç e treguan votimet.
Tashmë grupi parlamentar po shkon drejt bashkimit në një aksion të përbashkët dhe të vendosur, gjë që tregon se grupi është shumë i vendosur.
PD po shkon drejt bashkimit dhe nuk ka pengesë për asnjë lloj bashkimi.
Tashmë dhe aleatët vijnë në të gjitha tryezat tona dhe ne jemi të gatshëm ta shtrijmë këtë me çdo zë opozitar.
Ne jemi me vullnetin e hapur për një front të gjerë opozitar. Ndërkohë që zhvillojmë këtë betejë duhet zhvilluar dhe një bisedim me shoqërinë, për të ndërtuar një front të gjerë.



