Kostoja e studimit në Tiranë, bënë që të rinjtë të mos i kushtojnë rëndësinë e duhur dijes, por të fokusohen te mbijetesa.
Kjo është bindja e pedagogëve Irsa Ruçi dhe Ndriçim Mehmeti, por edhe e studentëve Roelio Pasho, Besart Maçi dhe Mateo Yskollari
Pedagogia Ruçi
Kostot për të përballuar jetesën e një studenti është e lartë, çdo i ri ka një faturë me të cilën vjen kur nis viti akademik. Kjo faturë mbulohet kryesisht nga prindërit. Sepse prindërit shqiptarë e kanë ambicien t’iu japin fëmijëve shkollim, ndonjëherë edhe kur vullneti i fëmijëve nuk është drejt shkollimit. Edhe prej faktit se një pjesë e tyre janë privuar nga e drejta për të studiuar.
Shumë të rinj vijnë me problematika shumë të mëdha, drama familjare, dhimbje familjare, shumë vijnë nga zona të thella ku pamundësitë janë shumë të mëdha. Bëjnë një sakrificë të fortë për të studiuar. Ajo që vë re përgjatë viteve që qëndrojnë, është se humbasin dëshirën për të marrë dije. Dhe nevoja për mbijetesë në Tiranë, kapërcen dëshirën për të marrë dije.
Shoh shumë të rinj që braktisin auditorët dhe punojnë. Nuk të pinë ujë medaljet, nëse nuk depërton në tregun e punës. Ajo që vë re te studentët se ndonjëherë është mirë që punojnë, por ngërç është mosbalanca mes nevojës për dije dhe dëshirës për të punuar, e cila ndonjëherë është jashtë profilit dhe thjesht nevojë për mbijetesë.
Pedagogu Mehmeti
Arsimi në Shqipëri është privilegj dhe jo e drejtë. Tarifa e studimit, është 30 mijë lekë të reja. Po 5 milionë lekë të vjetra në vit kush do m’i paguajë? Ne kemi një agjenci të famshme të financimit të arsimit të lartë, por ajo është zhdukur. Është me ligj të 2018-ës. E dini ju që shteti i detyron studentët të shkojnë te banesat private. Universiteti i vetëm në botë pa fjetina është Durrësi.
Ka ndërmend të bëhet nga 2032, por sot nuk ka. Ku do venë studentët e Durrësit do ma shpjegojë njeri. Në Qytetin Studenti janë banjat janë si në Mauthauzen. Studentit të ekselencës shteti i jep 10 mijë lekë të reja, por kjo është tallje. Prandaj themi ne pse ikin të rinjtë. Si do lindë cilësia atje?
Roelio Pasho
Kam tre vite që jetoj në Tiranë, kam ardhur vetëm nga Korça, ka qenë shumë e vështirë për të gjetur strehim në Tiranë, se kishte shumë radhë në konvikte dhe është praktikisht e pamundur të pranohesh. Për studentin kjo bëhet e paparashikueshme dhe studentët zgjedhin riskun me kosto më të lartë, në tregun privat.
Dy vitet e para e kam ndarë me dy kushërirat e mia, por tani jam vetëm. Duke marrë parasysh zonën ku banoj dhe sipërfaqen, është deri diku e përballueshme. Jetoj në zonën e “5 Majit” pasi ka kërkesë të ulët dhe është larg fakulteteve kryesore dhe apartamenti është goxha i vogël dhe qiraja mujore është 16 mijë lekë të vjetra në muaj.
Mateo Yskollari
Ky sistem po i orienton studentët drejt shtëpive me qira dhe po i largon nga Qyteti Studenti dhe një prej arsyeve janë kushtet. Dhomat janë dyshe por dhe më shumë. Qyteti Studenti ka afërsisht 5700 shtretër akomodues. Shumica e godinave janë të tejmbushura dhe nuk lirohen.
Besart Maçi
Kriza nuk e bën universitetin aspak joshës për studentin. Është bërë barrë për studentin se universiteti nuk shërben më si një ashensor social. Studenti thotë se nuk ia vlen ta bëjë, sepse nuk përballon dot kostot.



