Një banesë është grabitur gjatë natës në Lezhë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Spiten, ku persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e Gjergji Doçi, 61 vjeç dhe Vitore Doçi 47 vjeçe për të vjedhur.
Pasi janë hasur në rezistencë, grabitësit kanë dhunuar kryefamiljarin dhe bashkëshorten e tij. Policia njofton se janë grabitur një sasi lekësh dhe 2 aparate celularë.
Të plagosurit janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Çifti tregoi se përjetoi minuta të tmerrshme gjatë grabitjes.
Më e rëndë bëhet situata për faktin se burri u detyrua të shohë teksa agresorët dhunonin jo vetëm atë, por edhe gruan e tij
Në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët, të cilat policia shpreson që të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.
Gjithashtu, janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohet të kenë dijeni për ngjarjen. Sakaq janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve.



