
Eksperti i ekonomisë Majlind Lazimi, për projektet hekurudhore në Shqipëri, thotë se është një histori të paktën 30 vjeçare me zhvillimet ekonomike pas ‘90-ës edhe prej dinamikës së treg të brendshëm ku është investuar më shumë në infrastrukturën rrugore.
Lazimi tha në emisionin MCN Economy se prej dekadash nuk ka investime dhe se në tre dekadat e fundit hekurudha është lënë në mëshirë të fatit dhe se interesi është ritkthyer për arsye se së pari është interes i nivelit europian, në kuadër të bashkëpunimit mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend i rajonit, përfshirë dhe Malin e Zi, që nuk është integruar në unazën e gjithë rrugëve hekurudhore të rajonit.
Lazimi tha se jemi vonë por se çdo rast është momenti i duhur për të kuptuar se pse transporti hekurudhor ka rëndësinë e vetë.
Për hekurudhën Tiranë-Durrës, është elementi i transportit të njerëzve dhe mallrave. Kudo ku shkojmë, hekurudha është mënyra më e lehtë, më e leverdishme dhe më e shkurtër për transport.
Tashmë që prej disa dekadash ka investime në infrastrukturë rrugore, është e rëndësishme që sidomos në akse kryesore, ta fillojmë nga diku. Tek ato akse që ka interes të shtuar.
Ka një axhendë europiane për ndërlidhjen e ekonomive dhe transportit. Shqipëria është mbas gjithë vendeve të rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, edhe Kosova në sistemin hekurudhor është më mirë se ne.
Shqipëria ishte xhepi i mbyllur, i harruar i Europës, për investimet në hekurudhë.
Është një faturë që në çdo rast do jetë e kripur, por lajmi pozitiv se një pjesë e financimit të investimit BERZH dhe Banka Europiane për Investime kanë shprehur vullnetin për të financuar një pjesë jo vetëm me kredi, por dhe me grante.
Për sa kohë që kargoja ka më shumë interes se sa lëvizja e njerëzve, për shkak të pozicionit gjeografik të Shqipërisë, Porti i Durrësit, Porto Romanos në të ardhmen, interes të madh ka transporti kargo.
Ka vlerë të shtuar jo vetëm për kargon por edhe për njerëzit, sidomos në momentin kur ka fluks, si në verë.
Lidhur me ndikimin në ekonomi hekurudha Durrës-Prishtinë, ai tha se investimi i gjelbër është vlerë e shtuar për vendin, tha se nëse do jetë thjesht për tu lidhur me Kosovën, nuk është mjaftueshëm, por se duhet vijuar më tej.
Në këtë drejtim nënvizoi se projekti Vorë-Hani i Hotit e lidh Shqipërinë, edhe për linjën me Malin e Zi.
Nuk janë thjesht investime që duhen parë nga pikëpamja e transportit publik brenda territorit shqiptar, sa i përket Tiranë-Durrës dhe fluksi më i madh i njerëzve, përfitimi financiar është më i madh, edhe për sa i takon transportit të njerëzve.
Duhet kuptuar ku ka sens të ketë një trafik hekurudhor. Me rëndësi është për të kuptuar se sa rëndësi ka Porti i Durrësit, për t’u shfrytëzuar edhe në kuptimin tregtar.
Shqipëria nuk e ka shfrytëzuar kapacitetin portual, se shumica e mallrave deri më tani kanë ardhur kryesisht nëpërmjet transportit rrugor.
Nëse do kemi një port me kapacitet përpunues më të madh nga sa ka sot Porti i Durrësit, padyshim që investimi në hekurudhë ndihmon.
Përndryshe, bërja e njërës, pa pasur tjetrën, nuk jep vlerën e dëshiruar. Nëse nuk jemi vend prodhues, duhet të jemi vend që duhet të shfrytëzojmë Portin e Durrësit.
Ai shtoi se në varësi nga akset ku do të kalojë hekurudha, do të ketë element shtesë edhe në turizëm.



