Opozita parlamentare bojktoi sot mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ku po diskutoheshin ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Ishte deputetja Rudina Hajdari, e cila edhe më herët gjatë mbledhjes, i ftoi kolegët e saj që të bojkotonin tryezën.
Sipas saj, tryeza u braktis për shkak se maxhoranca nuk ka vullnet pozitiv për të realizuar një reformë të madhe, që të gëzojë mbështetjen e shumicës së shqiptarëve. Ajo tha se opozita nuk do të behëet pjesë e kësaj loje të shëmtuar.
“Vendosem ta bojkotojme seancen e sotme sepse nuk shohim vullnet pozitiv nga maxhoranca per te realizuar ate reforme madhore per te cilën gezojmë sot mbeshtetjen e shumices se shqiptareve, pra hapjen reale dhe 100% te listave. Nese maxhoranca do te vazhdoje ne kete rruge, duke ardhur me drafte te cilat nuk synojne hapjen e listave por mashtrimin e shqiptareve, ne nuk do te behemi pjese e kesaj loje te shemtuar, le ta bejne vete. E di qe shume qytetare ndoshta edhe jane lodhur nga ky debat, dhe ky ndoshta eshte edhe qellimi i kastes se vjeter politike, ti lodhe qytetaret tej mase e me pas te bejne ate qe kane bere gjithnje, te genjejne, por kjo qe po bejme eshte shume e rendesishme jo per sot, por per 30 vitet e ardhshme. Na duhet qe ketij vendi ti rikthejme demokracine si nje mjet per te rritur mireqenien dhe zhvilluar ekonomine. Ne nuk dorëzohemi”, -tha Hajdari.
Pas bojkotit maxhoranca vendosi të shtyjë mbledhjen.
11.55h- Komisioni i Ligjeve për listat e hapura/ Hajdari: Të shtyhet mbledhja, Gjiknuri: Përfundojmë punën sot
Gjatë ditës së sotme është mbledhur Komisioni i Ligjeve për të diskutuar nen për nen për draftet e propozuara për listat e hapura.
Para deputeteve jane tre drafte të opozitës parlamentare dhe një i propozuar nga Partia Socialiste.
Të gjitha draftet kanë një pikë të përbashkët, koalicionet me liste unike kandidatësh; por secila palë ka propozime te ndryshme në lidhje me modelin e hapjes së listës dhe nivelin e pragut kombëtar.
Gjatë mbledhjes Rudina Hajdari ka kërkuar mbylljen e mbledhjes dhe shtyrjen e saj pasi ka kërkuar që të diskutohet fillimisht edhe propozimi i PD-LSI në Këshillin Politik.
“Nuk duhet ta zhvillojmë këtë takim sot, ta shtyjmë, ne kemi një takim me opozitën jashtëparlamentare dhe do ishte e udhës. Nëse Gjiknuri do ti rrijë kodit zgjedhor për një kod zgjedhor sa më gjithëpërfshirës. Një takim tjetër pas këshillit Politik.”, theksoi znj.Hajdari.
Por kjo nuk është pranuar nga përfaqësuesi i maxhorancës, Damian Gjiknuri duke thënë se në propozimin e PS flitet vetëm për koalicionet dhe jo për listat e hapura dhe pragun elektoral gjë që nuk e pengon diskutimin e sotëm te "Ligjet'. Nga ana e tij, Gjiknuri deklaroi se konsultimet për Kodin Zgjedhor do të vijojnë dhe në Këshillin Politik. Mes të tjerash ai u ndal dhe tek opozita jashtëparlamentare, që sipas tij është ndalur shumë tek çështja e koalicioneve parazgjedhore, që sipas tij është një debat i vështirë për të gjetur kompromis.
“Opozita jashtëparlamentare ka ngritur vetëm një çështje; çështjen e koalicioneve. Ai debat duhet të vijojë këtu. Por është e vështirë për t’u gjetur një kompromis. Për çështjen e listave të hapura ata nuk kanë shprehur akoma, por të gjitha argumentet përqendrohen tek çështja e koalicionit. Koalicioni tashmë është i lejueshëm. Nuk e ndërpret dhe procesin tjetër në Këshillin Politik.”, tha Gjiknuri.
Deputetja Hajdari hasi në kundërshtimin e kryetarit të Komisionit, Ulsi Manja, i cili me nota ironie tha se nuk merr parasysh atë që ndodh në Këshillin Politik, pasi puna e Komisionit është e pavarur. “ Ju mund ta bojkotoni sepse nuk jeni anëtare. Mbylljani mikrofonin. Ju çunat e teknikës më shihni mua këtu. Kur flas unë s’ka kakofoni zërash këtu. Nuk e di ku ka konsensus më të gjerë se ndryshimi i Kushtetutës në 30 korrik dhe sot as më shumë e as më pak, do të reflektojë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor. Për nenet që s’ka dakordësi, lihen të hapura. Por s’mundet një KP, një forum jashtë parlamentar të bojkotojë punën e Komisionit të Ligjeve, që vijat e kuqe ia ka përcaktuar Kushtetuta e vitit 2020 më 30 korrik”, u shpreh Manja.
Deputeti i opozitës, Myslim Murrizi kërkoi në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, që drafti i propozuar në janar ku ishin dhe emrat e tij dhe Halit Valterit të tërhiqeshin, pasi ai draft ishte dorëzuar para ndryshimeve kushtetuese, Murrizi kërkoi që në emër të tij të merrej parasysh vetëm drafti i shtatorit 2020. Murrizi tha se në atë draft ishte kërkuar sistem proporcional kombëtar dhe tashmë sipas tij ky sistem nuk qëndron dhe është i pamundur.
Ndërsa nga ana tjetër Ralf Gjoni tha se drafti i dorëzuar nga ai në janar me firmat e 50 mijë qytetarëve duhet të merret parasysh për diskutim.
Pasi Komisioni të miratojë në tërësi reformen zgjedhore, nesër ndryshimet në kod do të diskutohen me PD e LSI në Këshillin Politik, në një përpjekje të fundit për të gjetur një draft konsensual.
Por tashmë PS e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë koalicionet siç i kërkon opozita dhe se pranon të negociojë vetëm modelin e hapjes së listës dhe nivelin e pragut.



