
Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar propozimin e presidentit Meta për kreun e KLSH-së. Maxhoranca ka parë si mangësinë kryesore te Bahri Shaqiri mungesën e përvojës në fushën financiare dhe në auditim.
“Nuk ka përvojë financiare, për organizimin dhe funksionimin e KLSH-së. Angazhimet janë të fokusuara në fushën e sigurisë, por jo në ato të parashikuara nga ligji për KLSH. Eksperienca në legjislacionin financiar është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme me aftësi të tjera. Ai është larg specifikës financiare dhe auditimit, financiar, i performancës etj. Kështu që duke iu referuar të gjithë tagrit kushtetues të këtij komisioni, ky komision, i dërgon seancës për mosmiratimin e kandidaturës së tij”, tha kreu i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Pak ditë më parë, presidenti Meta i propozoi Kuvendit emrin e Bahri Shaqirit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i mbetur vacant pas mbarimit të mandatit të Bujar Leskajt. Shaqiri mban aktualisht detyrën e këshilltarit të presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare. Ai ka qenë kryetar i Shërbimit Informativ Shtetëror në periudhën mars 2005- gusht 2012, ndërsa më parë ka mbajtur postin e shefit të Kabinetit dhe shefit të Marrëdhënieve të Jashtme në të njëjtin institucion.



