
Një person i shpallur në kërkim, i dënuar me mbi 14 vjet burg për pesë akuza të ndryshme është vënë në prangat e Policisë Kufitare në portin e Durrësit.
Bazuar në informacionet e marra se një shtetas në kërkim do futej në portin e Durrësit me qëllim tërheqjen e një automjeti të dërguar nga jashtë shtetit nga të afërm të tij, u organizua operacioni policor i koduar “Five Charges”.
Si rezultat i forcimit të kontrolleve të ushtruara në hyrje - dalje në PKK Port Durrës, në kuadër të operacionit të koduar “Five Charges”, nga shërbimet e Stacionit te Policisë Kufitare Porti Durrës në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimeve dhe Zbatimit të Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, u kap dhe y arrestua me qëllim ekstradimi shtetasi Pllum Daci, 52 vjeç, banues ne Kamëz, Tiranë.
Arrestimi i tij u bë pasi ishte person i shpallur ne kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali më datë 24 korrik 2024.
Gjykata e Napolit/Itali e ka dënuar 52-vjeçarin me 14 vjet e 10 muaj burg (mbetur për të kryer 13 vjet e 9 muaj burg) për veprat penale “Tentativë vrasje”, “Grabitje”, “Kanosje”, “Vjedhje” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për ta ekstraduar në Itali.



