Impotenca është një çështje shumë delikate për meshkujt, veçanërisht ata që vuajnë prej saj. Është një burim sikleti dhe mund të ketë një ndikim të fortë negativ në gjendjen shpirtërore, në marrëdhëniet me partneren, si dhe në cilësinë e jetës në përgjithësi.
Edhe pse situata nuk është e njëjtë me atë të para viteve 90, sërish ekziston ndrojtja për t’u konsultuar me një specialist adrolog. Specialisti Evin Dani, prej vitesh merret me adrologjinë dhe tregon vështirësitë që kanë meshkujt për ta pranuar impotencën.
"Unë prej vitesh merrem me këtë problem dhe e njoh problemin, para 90’ dhe pas. Pas '90-s, gjërat janë më të hapura, ku flitet më shumë rreth këtyre temave. Dikur më parë një mashkull e kishte shumë të vështirë të përballej me një doktor, shpesh e mbajnë të fshehtë dhe me partneret, duke shkaktuar dhe probleme në marrëdhënien e tyre në çift. Impotenca bëhet shkak i moskomunikimit burrë-grua. Tani ka njëfarë përmirësimi, por jo shumë. Edhe pse flitet shumë më shpesh në media, herë pas herë takojmë raste ku kanë me muaj të tërë që nuk realizojnë marrëdhënie seksuale dhe nuk shkojnë tek mjeku. Kam takuar çift që kanë kaluar 13 vite pa kryer marrëdhënie, me vite, rastet me muaj janë më të shpeshtë", thotë Dani.
Të pranosh impotencën seksuale sipas studimeve të ndryshme nuk është vetëm një kompleksitet që prek meshkujt shqiptarë, por fenomeni i përgjithshëm mbi jetën seksuale vazhdon të jetë shumë mbrapa me hapat e empancipimit sipas blogeres Zhaklin Lekatari.
"Shoqëria shqiptare është e paemancipuar, veçanërisht në aspektin e ndërveprimit intim. Seksualiteti, seksi dhe edukimi seksuale përjetohen ende si situata të pista", thotë ajo.
Ndrojtja ndaj seksualitetit është aq e madhe sa nuk mungojnë rastet kur një mashkull e ka të vështirë të vizitohet në prani të gruas tij tek andrologu.
"Aq shumë të vështirë e ka, saqë nuk vizitohet në sy të gruas. Ka raste që i thonë gruas a mund të dalësh pak jashtë", thotë Dani.
Një problem i madh që shkakton probleme në marrëdhënien e një çifti është edhe komunikimi. Studime të shumta ngulmojnë se komunikimi i hapur mes partnerëve është çelësi i një marrëdhënie të lumtur.
"Nëse do kishte komunikim nuk do kishte kaq shumë episode dhune tek femrat. Nëse midis dy partnerëve ka komunikim çdo gjë evoluon. Ne nuk mund të parashikojmë dëshirat e partnerit nëse ne nuk flasim", thotë Lekatari.
Stresi, pirja e duhanit, si dhe konsumimi i tepërt i alkoolit janë shkaktarë të impotencës mashkullore.
"Faktori psikologjik është kryesor, në mjekësi organi kryesor seksual është truri. Truri vë në lëvizje të gjitha aftësitë për një marrëdhënie seksuale. Duhani është shkaktar kryesor, sepse dëmton enët e gjakut. Alkooli deri në një masë mund ta bëjë më të këndshëm një partner, por nëse dozat rriten, ai bëhet i frenuar. Në doza të vogla e ndihmon, në doza të mëdha e frenon", thotë Dani.
Nëse në lumturinë e çiftit mund të ndikojë sjellja e veçuar e partnerëve në raport me njëri-tjetrin, në rastin e shkaktimit të impotencës duket se nuk ndikon.
"Ejakulimi i parakohshëm shkaqet i ka biologjike dhe nuk ndikon aspak sjellja e partneres në shkaktimin e impotencës", thotë Lekatari.
Sipas andrologut Ervin Dani, shqiptarët janë një popull në moshë të re dhe sit ë tillë konsiderohet se kanë një jetë seksuale aktive.
"Duke qenë se jemi një popullsi e re, meshkujt shqiptarë kanë një jetë seksuale aktive. Sa më e re popullsia, aq më e vrullshme jeta seksuale. Në ditët e sotme është shumë më e thjeshtë për të kryer marrëdhënie seksuale. Në të njëjtën ditë që takon një vajzë, konsumon një kafe dhe më pas kryen marrëdhënie seksuale. Unë kam statistikat e mia që një mashkull mund të ketë 30 dashnore në një periudhë shumë të shkurtër", thotë Dani.
Por a janë të kënaqura femrat shqiptare nga jeta e tyre seksuale me partnerët?
"Mua më vjen shumë keq që gra 40 ose 50 vjeçare të martuara ende nuk kanë provuar orgazmën", thotë Lekatari.
Pavarësisht se informacioni sot mund të gjendet kudo, sërish për disa njerëz, të flitet mbi seksualitetin dhe problemet lidhur me të, mbetet tabu. /Tvt.al/



