Vjosa Osmani, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, ka deklaruar sot se do të shfuqizojë të gjitha dekretet e ish-presidentit Hashim Thaçi në lidhje me praktikat diplomatike. Ky diskutim lindi pasi raportimit për emërimin si Konsull i Përgjithshëm në Pragë, të Flakron Shalas, djali i deputetit Haxhi Shala. Osmani nuk është dakord që në qytete ku ka ambasada të hapen edhe konsullata.
“Konsullata e Përgjithshme në Pragë dhe emërimi i Konsullit të Përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike dhe konsullore të vendeve demokratike. Nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njëjtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm. Është praktikë e mbrapshtë, të cilën duhet ta kthejmë mbarë. Prandaj ato dekrete do të shfuqizohen”, shkroi Osmani në një postim në rrjetin e saj social, Facebook.
Nga mediat në Kosovë është raportuar se Vjosa Osmani përveç Flakron Shalës, ka zh’bërë edhe disa vendime të tjera për konsuj të tjerë në vende të ndryshme.
Konsujve që iu janë shfuqizuar dekretet janë: Flakron Shala, (Pragë), djali i deputetit Haxhi Shala, i cili ishte emëruar së fundi konsull i përgjithshëm në Pragë, Blendi Kilaj, konsull në Lubjanë, Lindon Kqira konsull në Shkup dhe Halim Krasniqi konsull në Tiranë.



