Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim i bëri thirrje sot shtetasve amerikanë që ndodhen në Shqipëri dhe duan të kthehen në SHBA, se nesër do të jetë avioni i fundit.
Me anë të nëj video-mesazhi ambasadorja Kim i fton ata që të kontaktojnë pranë ambasadës.
“Jam ambasadorja Yuri Kim dhe kam një tjetër mesazh për qytetarët amerikanë në Shqipëri. Javën e kaluar ju thash se kishte vetëm një fluturim komercial në dispozicion. Sot, unë dua t’ju informoj se nuk ka asnjë fluturim komercial që niset nga Tirana. Ka pasur udhëtime me avionë charter dhe i fundit prej tyre, do të niset nesër, në 1 prill”, është shprehur Kim.
“Nëse dëshironi të jeni në atë avion, nëse nuk jeni përgatitur që të qëndroni në Shqipëri për një kohë të pacaktuar, ju lutem na kontaktoni menjëherë, në mënyrë që t’ju ndihmojmë. Shërbimi për qytetarët amerikanë është këtu për juve, që të sigurohet se ju jeni të sigurtë, të informuar dhe të shëndetshëm, dhe që në rast se dëshironi të ktheheni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa më shpejt të jetë e mundur”, ka theksuar ambasadorja amerikane.
“Siguria juaj mbetet shqetësimi ynë kryesor. Prandaj, nëse mund t’ju ndihmojmë, ju lutemi që të na kontaktoni menjëherë, që ne të mund t’ju ndihmojmë sa jemi ende në kohë dhe kemi ende një mundësi. Faleminderit dhe qëndroni të mbrojtur!”, ka përfunduar ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim.



