
Policia e Fierit ka vënë në pranga një 25-vjeçar, pasi ka furnizuar makinën me karburant në një pikë karburanti në Fier dhe ka paguar me para false.
Burime nga policia bënë të ditur se në pranga është vënë shtetasi E. N., 25 vjeç, banues në Mamaj, Tepelenë.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në datë 25.01.2021, ka furnizuar automjetin tip “Opel” në një pikë karburanti në lagjen “1 Maji”, Fier, dhe pagesën e ka bërë me një kartëmonedhë 50 euro e dyshuar e falsifikuar. Gjithashtu, në datë 26.01.2021, ky shtetas ka blerë produkte në një dyqan në Mallakastër me kartëmonedhë 50 euro të dyshuar të falsifikuar.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale automjeti tip “Opel” dhe dy kartëmonedha 50 euro të dyshuara të falsifikuara. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.



