Deputeti i PD, njëherazi edhe anëtar i Komisionit të Rithemelimit, Luan Baçi deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN TV se gara për kryetar në selinë blu nuk është e pabarabartë. Sipas tij nëse ekziston një pabarazi vjen nga pesha e kandidatëve dhe jo për faj të Berishës, duke theksuar se të dy garuesve u janë vënë në dispozicion çfarë disponon PD.
Kam respekt për z. Elezi, për kurajon dhe guximin që ka. Ka qenë kritik edhe në momente kur ne nuk flisnim. E vlerësoj dhe e respektoj, por jo gjithmonë duhet të kontestojë çdo lloj veprimi, duke anatemuar çdo lloj pune, ndaj një rivali pa fakte dhe argumente. Gara mund të jetë e pabarabartë nga pesha e kandidatëve, por ky nuk është faji i Berishës. Por për gjëra të tjera nuk është garë e pabarabartë, pasi dy kandidatëve u janë vënë në dispozicion çfarë disponon PD-ja. Nuk është garë e pabarabartë nëse shkon Berisha dhe shikon qindra anëtare. Do të doja që kjo garë të ishte pa sulme personale, pa fjalë të paargumentuara, por nëse ka problematika duhet të thuhen dhe korrigjohen. Shpresoj që do jetë garë e ndershme, nuk ka nevojë z.Berisha për manipulime, këtë duhet ta dijë z.Elezi. Berisha e ka garën të fituar për shkak të punës gjatë 30 viteve, reputacionit, që ka qenë aktivë gjatë opozitës, njohja, arritjet në politikë. Shumë brenda apo jashtë PD-së do donin të garonin, por stepen dhe nuk e kanë kurajon, sepse e kanë humbjen e garantuar. Z. Elezi vlen të vlerësohet, vendimi i tij i bën mirë PD-së dhe garës në PD”.
Baçi thotë se nuk mendon që Elezi ndan vërtet mendimin që modeli Berisha ka ngjashmëri me modelin Basha, por i bën këto deklarata për fushatë.
Lidhur me deklaratat e ambasadores Yuri Kim se mund të ndërpriten marrëdhëniet me PD-në nëse Berisha vjen në krye të selisë blu, deputeti tha se nuk mund të shpallen non grata 740 mijë demokratë.
As që e besoj që mund të jetë thënë një gjë e tillë. Nuk mund të shpallësh non grata 740 mijë votues të PD-së. Do dakordohesha me çdo qëndrim të çdo ambasadori, por janë disa problematika që s’mund të zgjidhen me deklarata, as me ndërhyrje të ambasadorëve. Zgjidhen vetëm me anë të votës, s’janë çështje dëshire. Çdo lloj ambasadori apo drejtuesi duhet të dakordohet me atë që vendosin anëtarët, votuesit, shqiptarët. Duke marrë parasysh që SHBA-të janë partner strategjik, që e duan 99 për qind të shqiptarëve, edhe z. Berisha vet, nuk është në dorën tonë. Çfarë duhet të bëjmë? Të heqim të drejtën e votës! Të emërojmë një kryetar, siç u emërua Alibeaj nga Gaz Bardhi. A e dini që demokratët nuk mblidhen te Alibeaj, s’janë dakord me ketë zgjedhjeve. Është vota që vendos. Në momentin që demokratët zgjedhin janë ata sovrani. Pjesën tjetër duhet t’ia lëmë kohën se sa të drejtë ka z.Berisha. Z.Berisha i ka dalë për zot dhe ka thënë nxirrni prova. Unë mendoj që PD shumë shpejt do kthehet në forcë shpresdhënëse për të larguar këtë qeveri”.
Sa i takon procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri, ku nesër mbahet seanca e parë, Luan Baçi u shpreh:
Seanca e para mendoj që do kalojë pa emra. Por më duhet të them që më duket një farsë e gjitha kjo. Mendoj që Presidenti është në mendjen e Ramës, i paracaktuar, e gjitha më duket një lojë për të futur edhe opozitën brenda lojës. Nëse Rama do ishte i sinqertë i lihen propozimeve opozitës dhe mazhoranca të përzgjedhë. Kjo do ishte rrugë pa kulisa. Ndërsa provokimet që bën Rama, që thotë do njoh vetëm udhëzimet e z. Alibeaj, është një gabim i rëndë”.



