Arrestimi në Francë i Ermal Beqirit, i shpallur në kërkim nga SPAK për çështjen e AKSHI-t, ka ngritur pikëpyetje të shumta për rrethanat e ndalimit të tij dhe mënyrën se si ai arriti të drejtonte një avion pranë një centrali bërthamor francez.
Analisti Genc Burimi, për MCN Live, e cilësoi ngjarjen si një situatë të pazakontë, që sipas tij kërkon një hetim të thelluar nga autoritetet franceze.
Është një gazetë serioze ajo që dha lajmin për arrestimin e Ermal Beqirit, i shpallur në kërkim nga SPAK për aferën e AKSHI-t, por nuk dimë më shumë sesa shqiptarët. Unë e shoh këtë situatë si një skenar filmi. Çfarë bën një shqiptar që është i kërkuar dhe shkon të fluturojë me një mjet ajror pranë një centrali bërthamor? Këtu lindin shumë pyetje që duhen sqaruar.
Sipas analistit, çështja e ekstradimit të Beqirit nuk është automatike, pasi Franca mund të ndjekë fillimisht procedurat e saj ligjore nëse dyshon për shkelje të kryera në territorin francez.
Franca nuk është e detyruar ta ekstradojë menjëherë. Ekstradimi bëhet kur personi kapet dhe kur plotësohen kushtet ligjore, por nëse gjatë qëndrimit të tij në Francë rezulton se ka kryer një vepër penale, atëherë ai proces mund të shtyhet. Ka raste kur një person i kërkuar nga një shtet tjetër fillimisht gjykohet aty ku është arrestuar dhe më pas merret vendimi për ekstradimin.
Burimi solli si shembull raste të tjera ndërkombëtare, duke argumentuar se procedurat mund të ndryshojnë në varësi të rrethanave dhe akuzave që mund të ngrihen ndaj një personi.
Ka ekstradim në kushte normale dhe ekstradim në kushte anormale. Në raste të veçanta, kur një person ka kryer një vepër të rëndë në një shtet tjetër, vendi ku ai është kapur mund të ketë përparësi për ta gjykuar fillimisht. Në këtë rast, nëse Franca ka çështje për sigurinë e saj kombëtare apo për një shkelje të mundshme, mund të përfundojë hetimin e saj dhe më pas të mendohet ekstradimi.
Një nga çështjet që sipas Burimit kërkon më shumë sqarime është mënyra se si Beqiri ka siguruar mundësinë për të fluturuar dhe nëse autoritetet franceze kanë qenë në dijeni të statusit të tij.
Ku e mori patentën e avionit? Çfarë bëri ai mbi atë central? A ishte një fluturim i zakonshëm apo kishte një tjetër qëllim? Duhet të hetohet nga është marrë avioni, nga cili aeroport është ngritur dhe kush e ka autorizuar këtë fluturim. Këto janë pyetje që mbeten pa përgjigje.
Ai shtoi se vendndodhja e incidentit e bën edhe më të ndjeshme situatën, duke kujtuar se zona pranë centraleve bërthamore konsiderohet një hapësirë me masa të larta sigurie.
Vetë profili i tij mund të intrigojë shumë organet franceze. Është e habitshme që një person i kërkuar në Shqipëri të arrijë të jetë në një situatë të tillë. Edhe nëse bëhet fjalë vetëm për një shkelje administrative apo një gjobë, ai përsëri është një person që kërkohet nga drejtësia shqiptare.
Burimi ngriti gjithashtu pyetje mbi mënyrën se si funksionojnë kontrollet e sigurisë në Francë dhe nëse institucionet kanë pasur informacion për lëvizjet e tij.
Si ka mundësi që një person i kërkuar të ngrihet me avion nga një aeroport francez pa u ndaluar? A nuk kontrollohen këto të dhëna? Nëse autoritetet franceze nuk e kanë ditur që ky person ishte në kërkim, atëherë kemi një problem sigurie. Nëse e kanë ditur dhe e kanë lejuar, atëherë pyetjet bëhen edhe më të mëdha.
Në fund, analisti theksoi se hetimi duhet të fokusohet te plani i fluturimit, autorizimet dhe qëllimi i lëvizjes së Beqirit.
Cili ishte plani i fluturimit të Ermal Beqirit? A e ka bërë për herë të parë këtë fluturim? Ku e ka marrë lejen për drejtimin e avionit? Si ka arritur të ngrihet nga një aerodrom francez? Janë disa pyetje që të lënë të uritur për përgjigje dhe që vetëm hetimi mund t’i sqarojë.



