Paratë cash jashtë sistemit bankar kanë shënuar një tjetër rekord në Shqipëri. Në vitin 2026, sasia e kartëmonedhave shqiptare në qarkullim ka arritur ekuivalentin e rreth 5.8 miliardë eurove, duke shënuar një rritje prej rreh 15% krahasuar me një vit më parë.
Fenomeni u diskutua në MCN Economy nga eksperti i financave Artur Ribaj dhe eksperti i ekonomisë Pano Soko, të cilët analizuan arsyet e rritjes së parasë fizike, ndikimin e forcimit të lekut, ndryshimin e sjelljes së operatorëve ekonomikë dhe lidhjen mes cash-it dhe informalitetit.
Ribaj theksoi se një nivel i lartë i parasë cash jashtë bankave ka efekte të drejtpërdrejta në ekonomi, ndërsa shtoi se një pjesë e familjeve shqiptare vijojnë ta shohin paranë fizike si një formë sigurie financiare.
Këto 5.8 miliardë janë për lekun shqiptar dhe kjo situatë ka të mirat dhe të këqijat e saj. Problematikat fliten shpesh dhe efektet e saj ndihen dukshëm në inflacion, në paratë e pista që mund të qarkullojnë apo edhe në konkurrencën jo të ndershme, por duhet të ndalemi edhe te pjesa pozitive, pasi mendohet se familjet shqiptare mund të kenë një pagë në cash ose të kenë mundësinë që në një situatë të caktuar të kenë një zgjidhje. Megjithatë, kur flasim për shifra kaq të larta, kjo të çon edhe te mungesa e besimit për t'i vendosur këto para në llogaritë e ndryshme të institucioneve financiare. Paraja e madhe cash dhe shtimi i saj është shqetësimi më i madh, sepse në vend që të shkojmë drejt një trendi rënës, siç po ndodh në vende të tjera të rajonit, ne po shkojmë drejt një trendi rritës.
Sipas tij, rritja e cash-it është veçanërisht problematike në një kohë kur pagesat elektronike po zgjerohen dhe ekonomia po përpiqet të reduktojë përdorimin e parasë fizike.
Trendi rritës i parasë cash është shqetësim kur nuk është normal në raport me lehtësimin e pagesave. Mendësia dhe mentaliteti i njerëzve ka qenë mbajtja e cash-it dhe kjo mund të vazhdojë të qëndrojë, ndërkohë që ndonjëherë duket sikur ne do të krijojmë edhe disa lehtësira të tjera nëse shkojmë drejt një ekonomie cashless. Nuk është normale që paraja cash të rritet në një kohë kur shtohen edhe pagesat elektronike.
Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë Pano Soko e lidh rritjen e parasë fizike me zhvillimet në tregun valutor, veçanërisht me dobësimin e euros përballë lekut dhe përshtatjen e sektorëve të ndryshëm me realitetin e ri të kursit të këmbimit. Sipas Sokos, një pjesë e operatorëve që tradicionalisht kanë pasur ekspozim të madh ndaj euros janë detyruar të përshtatin çmimet dhe transaksionet e tyre në lekë, duke rritur kështu kërkesën për monedhën shqiptare në formë cash.
Jemi kampionë të parave cash që ka rajoni dhe Europa. Ajo që ndodhi në fakt është se pjesa e transaksioneve të lidhura me euron pësoi një ndryshim. Ata sektorë që përthithnin euro cash janë përshtatur me realitetin e ri duke i konvertuar çmimet në lekë. Një pjesë e operatorëve të makinave i kanë konvertuar paratë në cash, ndërsa operatorët turistikë janë përballur me rënien e euros dhe kanë humbur besimin te euroja, pasi ajo nuk ishte më e qëndrueshme për ta. Çdo faturë po paguhet në lekë dhe kur bie euro, të ardhurat e tua në euro fillojnë të bien. Për këtë arsye operatorët turistikë nuk vazhdojnë më me euron dhe çmimet që ofrojnë i japin të gjitha në lekë. Kjo bëri që nevoja për cash në lekë të rritej.
Ai argumentoi se forcimi i lekut dhe ndryshimi i sjelljes së bizneseve ka shtuar kërkesën për monedhën shqiptare, duke ndikuar në rritjen e bazës së parasë fizike në qarkullim.
U rrit nevoja për monedhë cash dhe kjo krijoi presion. Nga ana tjetër, u rrit nevoja për lekë nga shqiptarët, gjë që bëri që baza e lekut cash që qarkullon të rritej. Pra, deformimi i madh që i ndodhi euros bëri që leku cash të kërkonte rritje, sepse kushtet e tregut krijuan një nevojë më të madhe për lekë cash. Por informaliteti është burimi bazë i përmasave të mëdha të cash-it që ne kemi në qarkullim. Sot ekonomia shqiptare operon në një nivel të lartë informaliteti, çka e klasifikon informalitetin si një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë dhe shpjegon edhe përmasat e mëdha të parasë fizike që qarkullon jashtë bankave.



