Kryeredaktori i Syri Tv, Romir Saraçi, për Këshillat Bashkiak deklaroi se krijohet perceptimi se i mori të gjitha Partia Socialiste, por thotë se në Tiranë ka një përqindje të votave që i mori koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe një pjesë PS. “E dimë që zgjedhjet i mori PS, por Shqipëria nuk është e ndarë në rozë dhe blu, harta është pak me më shumë ngjyra. PS ka shumicën në të gjithë Këshillat Bashkiak, hequr Kavajën. Ne kemi pasur një opozitë që erdhi nga një opozitë bojkotesh, që nuk kishte asnjë mjet financiar për të ngritur çështje.” Duke folur për MCN Live, Saraçi tha se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve nuk do të japë asnjë zgjidhje për ankesat e ngritura. Sipas tij, Partia Demokratike vjen pas një vjeçari krisjesh përçarjesh dhe në një vit opozita, koalicioni “Bashkë Fitojmë” arriti të gjenerojë 500 mijë vota, duke pasur vetëm PD, pa pasur siglën, grup parlamentar, mjete financiare dhe pa pasur komisioner që të numërojë. “Nuk janë thjesht 500 mijë vota, pasi dhe ato 100 mijë vota që mori fraksioni i vulës, janë vota të demokratëve që ndjekin siglën e PD. Dhe kushdo që të vijë aty, ata janë demokratë. Nuk është se thjeshtë u zhgënjyen nga PD dhe votuan PS, pasi kishin Alibeaj-Bejko, Nismën Thurje, Lëvizjen Bashkë. Kam dyshimet e mia se në Shqipëri ka elektorat gri. Dyshoj se nuk ka as elektorat gri dhe se pjesa e makinacioneve dhe llogaritjes së votës nga ana e PS është aq perfekte sa manipulimi i votës nuk është te blerja e votës, por te kapja e njerëzve dhe shantazhimi që të mos shkonin për të votuar.”



