
Në një bashkëbisedim me gazetarët kryeministri Edi Rama foli për protestën e djeshme të opozitës.
Kryeministri Edi Rama e ka quajtur absurd dhe të dhunshëm, marshimin e opozitës ditën e djeshme. Rama theksoi se qeveria nuk preket dhe as nuk ndryshon nga këto protesta, por vetëm imazhi i Shqipërisë në botë.
"Vlen të përsëritet se as me qëndrime dhe as me marshime nuk zëvendësohet dhe as nuk rrëzohet qeveria e aq më pak me bomba molotov, nuk janë një alternativë qeverisëse. Por përbëjnë një mjet për të plagosur fytyrën e Shqipërisë në sytë e botës dhe për të goditur ekonominë. Pas përhapjes së atyre imazheve ka anullime të rezervimeve", tha Rama.
Në lidhje me propozimin e përfaqësuesve të CDU dhe CSU gjermane për të ndërmjetësuar dialogun mes qeverisë dhe opozitës shqiptare, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një qëndrim refuzues. Ai u shpreh se për dialog nuk ka nevojë për gjermanë, amerikanë apo për francezë.
Ai tha se është i gatshëm të ulet për të dialoguar me opozitën.
“ Nuk kam nevojë as për gjermanë, amerikanë, holandez, francezë, anglezë, as norvegjezë për t’u ulur dhe për të dialoguar, personalisht, e kam thënë e përsëris që dialogu është i pa tjetërsueshëm i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës politike në një vend normal dhe një shoqëri që bazohet në zgjedhjet e saj te vota.
Kryeministri ka deklaruar se ndihma është e mirëseardhur, porse zgjedhjet qeveria nuk ka ndërmend t’i shtyjë për asnjë arsye.
Kryeministri Edi Rama ripërsëriti se ështè i gatshëm për dialog, pa kushte. Ai ka thënë se ndryshe nga Basha, zgjedh që për të mirën e vendit të ulet në një tryezë, pa vendosur një kusht paraprak.
"Dialogu është i hapur, unë nuk vë kushte, nuk jam i paraardhësi im apo si miku im përballë që vendos kushte "ik ti që të fillojmë të flasim", unë them "kur do flasim, ai më thotë ik ti", me kë do flasë me murin? Unë s'marr përsipër që të thyej Kushtetutën. Kam pasur një arsye shumë të fortë që e kam ditur që do të ishte gurë në qafë për Shqipërinë dhe procesin demokratik dhe për palët, se do ishte një lojë. Nëse nuk do ishin shtyrë zgjedhjet në 2017, nuk do vinin këtu të na thonin 'janë shtyrë, ça problemi ka'. Zgjedhjet janë garë. Unë kam pasur një pjesë të jetës në sport, kam dhe aspektin sportiv brenda. Do isha shumë më i kënaqur që t'i kishim përballë, se do ishte më nxitëse. Tjetër është t'i mundësh se ikin me vrap dhe tjetër është se të dalin përballë", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama foli edhe për kandidaturat për zgjedhjet vendore, të cilat i quajti kandidatura potenciale për një qeverisje vendore të re me standarde emrat e propozuar nga Partia Socialiste për në garën elektorale të 30 qershorit 2019.



