
Situata e krijuar mëngjesin e djeshëm në zonën e Astirit, ku gjatë aksionit për shembjen e banesave që do t’i hapin rrugë projektit të Unazës së Re pati përplasje mes banorëve dhe policisë, është reflektuar në një raport të detajuar të Avokatit të Popullit. Në faqen e tij zyrtare, ky i fundit shprehet se ekspertë të institucionit kanë vëzhguar nga afër veprimet e organeve shtetërore në terren dhe më pas në komisariatet e policisë e në Spitalin e Traumës, ku janë shoqëruar një numër shtetasish. Lidhur me zonën ku u zhvillua protesta, Avokati i Popullit thekson se punonjësit e stafit të tij janë penguar nga ana e autoriteteve të rendit, një shkelje e qartë dhe e përsëritur e ligjit.
Nga vëzhgimi në terren, Avokati i Popullit ka konstatuar se nga shtëpitë që më pas u shembën nuk janë hequr orenditë. Po ashtu, banorët kanë vënë në dispozicion të ekspertëve materiale video, në të cilat pretendohet ushtrim i dhunës nga na e policisë mbi burra dhe gra.
Avokatit i Popullit konkludon se situata e tensionuar e datës 12.11.2019 mund të shmangej me një qasje më pajtuese, konsensuale dhe mirëkuptuese nga ana e autoriteteve shtetërore kundrejt komunitetit të qytetarëve që ndihen të cenuar nga projekti i zgjerimit të Unazës së re.
Sidomos e domosdoshme ka qenë kjo qasje dhe më e panevojshme është bërë forca represive, në kushtet kur ky projekt duhet të ishte në fazë ngrirjeje, deri në verifikimin e plotë të dyshimeve të lindura për parregullsi ligjore në procedurat e tij.
Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për përdorimin e vazhdueshëm të gazit lotsjellës si mjet i parë nga ana e forcave të policisë për të sulmuar grupe qytetarësh që protestojnë paqësisht, madje mbetet i paqartë protokolli i përdorimit të këtyre lëndëve, sidomos ndaj grumbullimeve të njerëzve ku të pranishëm janë edhe fëmijë, gra e të moshuar. Avokati i Popullit pret të marrë sqarime dhe një arsyetim shterues nga ana e Policisë së Shtetit në lidhje me këto procedura, si rezultat i të cilave disa qytetarëve u janë shkaktuar dëmtime, siç konfirmohet edhe nga autoritetet spitalore.
Dhuna gjatë shoqërimeve e referuar nga disa shtetas dhe jo vetëm në këtë rast, vazhdon të mbetet një problematikë shqetësuese, për të cilën Avokati i Popullit po vazhdon hetimin administrativ.
Avokati i Popullit gjithashtu shpreh shqetësimin për pengimin që u bëhet anëtarëve të ekipeve të tij, për të kryer detyrën, si gjatë konstatimit të veprimeve në terren, ashtu edhe më pas, gjatë përpjekjeve për akses në institucione të ndryshme.



