Partia Demokratike paralajmëron protesta të reja në të gjitha qytetet e vendit gjatë ditëve në vijim. Në një takim me demokratët e Lezhës në çadrën e protestës, kreu i PD-së, Basha, i ftoi mbështetësit e tij të vijojnë përshkallëzimin e protestës në të gjitha qytetet e vendit, duke nisur nga Kavaja javën e ardhshme. Kreu i selisë blu ripërsëriti kërkesën e poanegociueshme për qeveri teknike, por pa përjashtuar PS-në.
Fjala e Bashës
Zgjidhje pa largimin e Ramës dhe qeveri teknike nuk do të ketë. Votime monopartiake nuk ka. Me PS dhe bishtat e PS nuk ka votime monopartiake. Sot dëgjuam një ide nga Beni (Blushi) për mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Duke e marrë të mirëqenë, po ju shpjegoj. Ne nuk duam përjashtimin e PS. Qeveria teknike duhet të ketë mbështetje të gjerë politike. Na duhet zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese. Ne duam që qytetarët të gjykojnë dhe të votojnë të lirë dhe të pakërcënuar.
Duke nisur nga sot, kjo lëvizje do të shtrihet e të çlirojë sheshet dhe rrugët përmes akteve të mosbindjes civile. Javën e ardhshme nis bashkimi i armatave paqësore të republikës së re nga jugu deri në veri.
Protestues të lirisë, bashkohuni në marshimin e javës që vjen qytet më qytet, qark më qark, në Tiranë dhe Kavajë. Ne do të përballemi dhe do të fitojmë betejën tonë për Kavajën pa krim e pa drogë.



