
Për protestën e dhunshme në Rrugën e Kombit, ka reaguar dhe Prokuroria e Përgjithshme. Në një njoftim për mediat organi i akuzës deklaron se po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe uron shërim të shpjete të të lënduarve.
Organi qëndor i akuzës bën me dije se "kryeprokurorja Arta Marku kërkon, mbështet dhe vë në dispozicion të Prokurorisë së Kukësit të gjitha burimet logjistike dhe njerëzore për zhvillimin me intensitet dhe rezultativ të hetimeve dhe vendosjen përpara përgjegjësisë penale të cilitdo që ka shkelur ligjin".
Ndërkohë, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës, Drejtuesja e saj Alketa Nushi me një grup prokurorësh të kësaj prokurorie, shkuan në vendgjarje dhe po punojnë për të gjetur autorët dhe shkaktarët e dhunës.
Prokuroria thotë se është në komunikim të vazhdueshëm dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po kryen hetime për zbardhjen e ngjarjes. Kryeprokurorja Arta Marku gjithashtu uron shërimin e shpejtë të të lënduarve në protestë.



