
Ish-kryeministri Sali Berisha do të mbledhë këtë të shtunë Këshillin Kombëtar të Rithemelimit.
Nga mbledhja e Kryesisë së PD-së së Rithemelimit, mësohet se mbledhja do të mbahet në orën 12:00, ndërsa të ftuar do të jenë edhe deputetët e Gazment Bardhit dhe vetë Bardhi.
Bëhet me dije se në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, u vendos që të krijohen 4 rajone të cilat do të drejtohen nga kater koordinatorë.
Më herët, në një deklaratë për mediat në mbledhjen e Kryesisë theksoi se opozita nuk do lëvizë nga parimet demokratike.
Në asnjë rrethanë ne nuk mund të zmbrapsemi, ne nuk do zmbrapsemi.
Por në kushte të reja, të diktuara në mënyrë të shpejtë do të thosha nga regjimi, natyrisht kërkohet një ripërshtatje e shpejtë e jona në këto kushte.
Kërkohet nga ne të bëjmë gjithçka që të jemi zëdhënës të atyre që guxojnë.
Edi Rama ka zhytur Shqipërinë, shoqërinë shqiptare në mbretërinë e frikës dhe frika është e njohur se përbën ndjenjën më qendrore në fiziologjinë e ndjenjave njerëzore.
Në këtë kontekst, duhet ta konceptojmë qëndresën tonë, betejën tonë pa kthim, para së gjithash si një betejë të atyre që guxojnë dhe ju garantoj se ata që guxojnë janë shumë herë më shumë nga sa mendojmë ne, nga sa mendojnë drejtuesit tanë.
Si mund t’i identifikojmë dhe t’i gjejmë këta ne? Thjesht, të bëhemi zëdhënës të kërkesave dhe sugjerimeve të tyre.
Ata kanë guximin dhe guximi u bën të mundur atyre të kenë projekte për betejë. U bën të mundur të angazhohen në betejë kundër regjimit.
Kjo është rruga e vetme që ne të shkrijmë akullin e frikës, që ne të rritemi dhe të shndërrohemi siç jemi sot. Sot ne jemi shpresa e vetme për shqiptarët.
Por me një lëvizje të fuqishme në mbarë vendin, ju garantoj se nuk mbetemi forca e vetme e shpresës, por forca më e sigurt e fitores për shqiptarët. Duan ta lënë Shqipërinë pa opozitë. Ne do jemi zëdhënës të shqiptarëve. Nuk ngatërrojmë akte të shkëputura nga vlerat universale të partnerëve perëndimor.
Më herët gjatë ditës sotme, Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar Prokurorisë së Posaçme SPAK, dokumentin zyrtar, ku tregohet se ish-kryeministrit të vendit, Sali Berisha, i është hequr imuniteti dhe tashmë mund të veprohet për ndryshimin e masës ndaj tij.



