Policia e Fierit thotë se ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së djeshme, te mbikalimi i fshatit Dërmenas, ku u dëmtuan dy persona.
Konfirmohet se një 66-vjeçar në bashkëpunim me djalin e tij, qëlloi me armë zjarri, në drejtim të dy personave nënë e bir, duke bërë që të vihet në pranga, ndërsa djali i tij është shpallur në kërkim.
Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Paraprakisht u dyshua se shtetasja Suzana Mërnica ishte plagosur nga të shtënat me armë zjarri, por nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se nënë e bir u dëmtuan nga goditja e motomjetit me të cilin ata lëviznin, nga automjeti që drejtonte shtetasi i shpallur në kërkim.
Uniformat blu menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 9 prill, te mbikalimi i fshatit Dërmenas, ku shtetasit Ali Cimili, 66 vjeç dhe Afrim Cimili, 23 vjeç, babë e bir, të dy banues në këtë fshat, dëmtuan shtetasit Hysen Mërnica, 26 vjeç dhe Suzana Mërnica, 50 vjeçe, nënë e bir, të dy banues në fshatin Sulaj, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe u kap dhe u vu në pranga 66-vjeçari.
Nga këto veprime dyshohet se shtetasit Afrim Cimili dhe Ali Cimili, për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet 23-vjeçarit dhe 26-vjeçarit, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjetit me të cilin lëviznin shtetasit Hysen Mërnica dhe Suzana Mërnica.
Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Më pas, 23-vjeçari ka goditur me automjetin me të cilin lëvizte, motomjetin, dhe është larguar nga vendngjarja, së bashku me babanë e tij.
Si pasojë e goditjes së motomjetit, janë dëmtuar shtetasit Hysen Mërnica dhe Suzana Mërnica, të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje janë sekuestruar gëzhoja dhe prova që do t’i shërbejnë hetimit për këtë ngjarje. Gjithashtu, janë sekuestruar njëri prej automjeteve të përdorur prej autorëve dhe 3 celularë.
Aktualisht vijojnë kërkimet për kapjen e 23-vjeçarit, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtjeshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.



