
Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend një shkresë zyrtare ku njofton për vendimet e marra gjatë mbledhjes të anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
Sipas këtyre vendimeve, Basha mori masa edhe për zëvendësimin deputetëve që ishin në pozicione të rëndësishme në komisionet parlamentare.
‘Pas vendimeve të Kryesisë së Partisë dhe këshillit Kombëtar të PD, në përputhje me statutin dhe Rregulloren e brendshme të Grupit Parlamentar, në përputhje me nenet 15 e vijues të Rregullores së Kuvendit, ju njoftojmë se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të datës 15.01.2022, kryetari i Grupit Parlamentar është zgjedhur Enkelejd Alibeaj”, shkruhet në njoftimin e PD.
Ndryshimet e tjera që do të propozojë kanë të bëjnë me drejtimin e komisioneve parlamentare dhe në Byronë e Kuvendit.
Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë është propozuar Grida Duma. Flutura Açka është një tjetër ndryshim i propozuar, konkretisht si kryetare e Komisionit të Arsimit.
Deri më tani postin e nënkryetarit të Komisionit të Ligjeve e mbante Oerd Bylykbashi.
Ndërsa pas masës për pezullimin e tij nga PD, Basha ka vendosur që në vend të tij si nënkryetar të Komisionit të Ligjeve deputeten Dhurata Çupi.
Edhe për sekretariatin për Buxhetin ka pasur të propozuar emër, ku Xhelal Mziu pritet të votohet si sekretar.
Tek sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, anëtar është propozuar Bledion Nallbati. Dashnor Sula do të votohet tek Sekretariati për Statusin e Deputetit si sekretar.
Ndërkohë prej orës 15, është paraparë mbledhje e Grupit Parlamentar lidhur me këto ndryshime.



