Nepali ka lëshuar një rekord prej 454 lejesh për ngjitjen e malit Everest këtë pranverë, pavarësisht frikës nga mbipopullimi në atë që njihet si maja më e lartë në botë.
Ka shqetësime se numri i lartë i alpinistëve mund të shkaktojë trafik dhe pengesa gjatë rrugës për në majë.
Në vitin 2019, mbipopullimi në Everest çoi në radhë të gjata, kohë pritjeje dhe nivele të varfëruara të oksigjenit, duke shkaktuar të paktën 11 vdekje.
Numri i lejeve të dhëna këtë sezon është më i lartë se çdo here, sipas zyrtarëve, dhe gjasat janë që në javët në vijim të jepen edhe më shumë leje.
Më shumë se 900 alpinistë pritet të shkojnë në majën e Everestit këtë sezon, me një shumicë që tenton ngjitjen me ndihmën e një udhërrëfyesi nepalez.
Disa alpinistë kanë shprehur shqetësime për rreziqet e mundshme këtë sezon, veçanërisht nëse ka një dritare më të shkurtër për të arritur majën për shkak të motit të pafavorshëm.
Numri më i madh i alpinistëve që marrin leje këtë sezon janë nga Kina 96, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 87.
Ang Tshering Sherpa, ish-president i Shoqatës së Alpinistëve Nepal, i tha AFP se shifrat e larta këtë sezon janë kryesisht për shkak të pamundësisë së shumë alpinistëve të udhëtojnë në Nepal vitet e fundit për shkak të ndërprerjeve nga pandemia Covid .
Rregullat e reja në anën kineze të Everestit, që kërkojnë që alpinistët të kenë ngjitur më parë një majë tjetër 8000 metra, kanë dërguar gjithashtu më shumë alpinistë kinezë në Nepal.
Një ekip alpinistësh profesionistë aktualisht po përgatit rrugën deri në Everest dhe tashmë ka fiksuar litarët deri në Kampin IV në 7924 metra lartësi.
Reshjet e fundit të borës kanë rritur rrezikun e orteqeve në male, ku tre alpinistë nepalezë u zhdukën ndërsa kalonin akullin e pabesë Khumbu më 12 prill.
Autoritetet anuluan shpëtimin pasi arritën në përfundimin se nuk ishte e mundur të nxirrnin trupat e tyre nga një e çarë e thellë.



