
SPAK del me deklaratë lidhur me thirrjen e ish-kryeministrit Sali Berisha në Prokurorinë e Posaçme, për t’u marrë në pyetje lidhur me çështjen e 21 Janarit.
Organi i akuzës thotë se janë ndjekur të gjitha rrugët ligjore për njoftimin dhe nënvizon se Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025 dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit për t’u paraqitur në datën 14.11.2025.
Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”
Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend më datë 07.11.2025.
Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit: sali.berisha@parlament.al, më datë 10.11.2025. Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.



