Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti thotë se kemi një situatë gripi në numra të inferktuar pak më shumë se vitet e tjera, por nuk mund ta quash epidemi të rëndë.
Duke folur për emisionin “Zgjohu me MCN”, Alimehmeti shtoi se vala që e njohim të gjithë e infektimeve është në rënie prej 2-3 javëve.
Se ka qenë një situatë si sivjet, si vjet, që kjo valë është arritur shumë herët gjatë fillimit të janarit dhe më tej ka ndodhur rënia e rasteve.
Këto janë situata mbikëqyrje. Ne nuk jemi shtet që i gjurmojmë të gjitha rastet, nuk jemi transparent.
Sa herë të shihen shifra të rrumbullakëta, do të thotë se nuk ka një përllogaritje të vërtetë.
Ne vuajmë kronikisht në Shqipëri nga nënraportimi.
Kur ne një problem nuk e raportojmë sa është realisht, edhe sjellja e qytetarëve nuk do të jetë siç duhet.
Deklarata e mjekut epidemiolog u bë duke komentuar shifrën e raportuar prej 16 mijë rastesh të prekurish nga Instituti i Shëndetit Publik dhe se shifrat janë shumë larg realitetit dhe dalin me shumë vonesë.
Ndër të tjera Alimehmeti deklaroi se e vërteta është se gripi ka prekur 30-35% të shqiptarëve përgjatë gjithë sezonit.
Nuk është një situatë përtej normales kur flasim për raste të rënda, shtrimesh në spital apo humbje jete.
Por edhe të themi që është fushë me lule, nuk është. Rastet e Covidit që qarkullojnë janë shumë më pak.
Gjëja e mirë është se Covidi dikur do futet te familja e gripit dhe po shkon aty.
Simptomat janë shumë të ngjashme, përderisa ka filluar të mos dallohet dot.
Pjesa negative është fakti që për ta dalluar në mënyrë preçize duhet të kishim testet e Covidit.
Ne kemi 3 vjet e 11 muaj nga rasti i parë i Covidit zyrtar dhe sot nuk kemi testet e Covidit në farmaci, ndërkohë që në çdo shtet i gjen kudo.
Po ta kishim nuk do e përdornim për të bërë statistika apo raporte, por që një njeri kur e di që ka Covid, mund të ruajë të tjerët.
I jep mundësinë popullatës të mbrojë veten dhe njerëzit përreth. Gjatë janarit pamë temperatura 39-40, për dy tre ditë fillonte përmirësimi.
Këto ditë po shohim raste me fëmijë që kanë kollë të thatë, por nuk kanë temperaturë, ethe.
Por dhe kjo për disa ditë kalon dhe duhet trajtuar në mënyrë mbështetëse, me lëngje, hidratim, qëndrim i ngrohtë dhe kujdes për veten.
Në rast se ka simptoma të forta si temperaturë e lartë, apo dhimbje të fortë, ibuprofen apo paracetamol për të ulur simptomat.
Ato pak raste që mund të komplikohen, atëherë duhet kontaktuar mjeku i cili sipas rastit të raporton pranë një qendre të specializuar.
Se po të shkosh direkt, hyn me një sëmundje del me dy, se rrezikon të marrë një virus të dytë dhe mund të ketë dy procese infektimi.
Gjithsesi ky është një normalitet për virozat sezonale. Në asnjë grip nuk rekomandohen antibiotikë, luftën e bën imuniteti ynë natyror.
Vetëm gjatë sëmundjeve virale ndodhin komplikimet dhe nëse komplikohen, duhen antibiotikët.
Nëse antibiotikët i marrim që në fillim, ne ulim imunitetin tonë.
Vetëm me recetë mjekësore mund të merren antibiotikët dhe receta është individuale.



