Gazetari Denis Dyrnjaja tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se komisioni hetimor parlamentar për sterilizimin nuk ka si qëllim të zbardh të vërtetën, por vetëm të bëjë një zhurmë dhe show politik. Dyrnjaja tha se po veprohet me dy standarde ku nuk janë hetuar komisione ku ka interes opozita, apo ku përmenden biznesmenë të caktuar. Sipas gazetarit komisioni bëhet me seleksion, nuk është gjithëpërfshirës, nuk është i plotë dhe shterues.
Sa i takon dëshmisë së Ilir Beqajt, Dyrnjaja thotë se është e drejta e ish-ministrit të shprehet në mënyrën që do si dëshmitar.
“Kemi muaj të tërë që dëgjojmë për një komision hetimor për çështjen e shëndetësisë, natyrisht problematika të mëdha ka në raport me këtë sektor, dhe në fakt jemi më të paqartë pas komisionit hetimor. Më duket se faji, nëse mund të ketë një term të tillë, fajtori qëndron te politika. E gjitha kjo që po ndodh është show, për të krijuar tymnajë dhe zhurmë. Është e pakuptimtë se ç’lidhje ka një komision hetimor kur vet prokuroria ka marrë çështjen dhe po e drejton. Sjellja e kryetares Albana Vokshi më duket shumë e çuditshme. Një shprehje e hershme thotë që ‘mos i bëj tjetrit atë që s’do të donin të të bënin ty’. Ajo që tablo që paraqet znj.Vokshi si kryetare komisioni është një prepotencë e panevojshme, në raport me çështjet në komision dhe të ftuarit si dëshmitarit. Beqaj vjen në komision në cilësinë e dëshmitarit, ky njeri s’mund të paragjykohet në raport me atë që thirret në komision. Nuk mund ta paragjykoj personin që kërkon të bëjë prezantimin e ideve dhe argumenteve që ka me mënyrën e tij, dhe mua s’më duket jashtë logjikës së aktualitetit. Të argumentosh provat edhe në mënyrë figurative s’ka asnjë lloj problemi. Nuk shoh asgjë të keqe. Mënyra si paracaktohet, paragjykohet, komentohet, cilësohet, një person nën hetim...Si dëshmitar ai ka të drejtën e tij ligjore të shprehet në atë mënyrë që ai do të prezantojë rolin, pozicionin. Një debat i tillë i shërben vetëm zhurmës, një lloj propagande politike. Po të ishte për transparencë publike shëndetësia duhet të ishte hetuar në tërësinë e saj me koncesionet”.
Lidhur me komisionin hetimor, Dyrnjaja shprehet:
“Pse Fatmir Bektashi është Fatmir Bektashi, dhe biznesmeni Samir Mane përmendet me S.M. Këtu ka dy standarde. Pse te koncesionet disa hetohen dhe disa jo?! Pse mos hetohet edhe koncesioni i dializës? Po aty s’ka patur dyshime? Komisioni është me seleksion, aty ku ka interes opozita, dhe ku ka patur interesat e veta, shtrirjet e veta, biznesmenët që mund të afektohen apo atakohen nga komisioni s’duhet t’i përmendim dhe t’i themi, këta që preken dhe që mendohen që janë nga krahu i mazhorancës, duhet. Nëse bëhet një hetim bëhet një hetim i thellë, gjithëpërfshirës dhe shterues. S’mund të ketë seleksione, një po, një jo. O bën komisioni një hetim të plotë....Por këtu historia e komisioneve hetimore ka qenë një histori dështimi. Edhe ky komision zero efekt ka për të pasur thjesht do bëjnë zhurmë, marrin edhe ato honorarët nga buxheti i shtetit. Bëjnë këtë show-n politik, a thua çfarë po ndodh, por asgjë s’do ndodhë, asgjë s’do zbulohet. Nëse do të kishte një hetim pa qëllime të posaçme dhe pa prapavija paragjykuese dhe politike, do kishim mënyrë dhe stil tjetër hetimi nga komisioni. Nëse hetimi do ishte integral, Edi Rama, Vilma Nushi, Klodjan Allajbeu, kushdo që të ishte që s’janë në listë, do kishim tjetër qasje dhe komisioni do ishte i unifikuar. Por kanë patur interesa, kur kanë patur marrëdhënie të afërta pushteti dhe biznesesh, fillon kjo pjesa ku vijnë përplasjet dhe atakimet personale”.



