Kreu i PD Sali Berisha paralajmëroi se Presidenti do të dekretojë datën e zgjedhjeve lokale në Tiranë, ndonëse sot Erion Veliaj ankimoi në GJK vendimin për shkarkimin e tij. Berisha theksoi se Rama u përpoq të bënte pazar me Veliajn, por ky i fundit nuk e ka pranuar pazarin me kryeministrin.
“Edi Rama, pasi i futi Gjushin në qeli, pasi bëri çdo lloj përpjekje për të bërë pazar me Erion Veliajn, që të pranojë shkarkimin dhe të mos i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duket se dështoi në këtë përpjekje. Duket se Erion Veliaj nuk e pranoi marrëveshjen, gjersa ai u ka kërkuar avoketërve të tij të depozitojnë ankesën në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është përgjigja e parë. Pavarësisht nga kjo, sot është ditë e hënë, prisni nga ora 1 kukulla e Edi Ramës në presidencë do firmosë, mos pastë lënë edhe ai autopenin aty, për datën e zgjedhjeve. Tani, meqenëse shtron një problem, të garantoj se opozita sot, në këtë moment që flasim, ka jo një, por ka disa kandidate dhe kandidatë të pakrahasueshëm me Korbën e Korrupsionit. Të pakrahasueshëm.Ju ftoj zotëri të rikujtosh vetëm një moment, tronditjen e tmerrshme të Ogertës kur mësoi se emërohet kandidate për kryetare bashkie”.



