Glauk Konjufca, kryetari i Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se ka një tendencë të qartë të destabilizohet veriu i vendit në prag të zgjedhjeve që janë planifikuar të mbahen në këtë zonë.
Konjufca i bëri thirrje qytetarët të mos bien pre e veprimeve të cilët dirigjohet nga segmente të caktuara dhe që kanë qëllim destabilizimin e Kosovës.
Tash kemi nevojë për qetësi dhe i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në atë pjesë që të mos bien pre e veprimeve të cilat mendoj që dirigjohen, jo brenda Kosovës, por kryesisht në anën tjetër, pra nga Serbia. Të segmenteve të caktuara, të strukturave të cilat ata ende synojnë t'i mirëmbajnë dhe financojnë, edhe të cilat mundohen, dhe qëllimi kryesor i të cilave është destabilizimi i Kosovës, zhvendosja jashtë orbitës së sigurisë së Kosovës, po sidomos në atë pjesë të territorit. Meqenëse edhe zgjedhjet po afrohen tash, pra pas dhjetë ditësh është data e zgjedhjeve, nuk janë të rastësishme të gjitha këto që po ndodhin, meqë është një tendencë e qartë që te destabilizohet ajo pjesë e vendit, përpara zgjedhjeve të 23 prillit.



