Politologu Roland Bejko tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se me investimin e Kushnerit në Sazan, Rama ka vrarë me një gur shumë zogj, dhe përfitimi politik është në tavolinë.
Sipas Bejkos programi i Berishës s’ka lidhje me atë të Trump-it, pasi kryedemokrati premton rishpërndarje, pa thënë se nga do gjenden paratë.
“Është një tendencë e Ramës për të qëndruar pranë qeverisë së re amerikane. Nisur edhe nga fakti që e ka vendosur si prioritet sfidën e turizmit elitar, me një gur ka vrarë shumë zogj. Përbën një sensacion dhe lajm ndërkombëtar ardhja e familjarëve të Trump, dhe e ka futur Shqipërinë në lajm ndërkombëtar. Qytetarëve shqiptarë iu shitet një foto, jo më mos u shitet ardhja e familjarëve të Trump këtu.
Ardhja e një investitori të tillë jep garanci edhe për biznese të tjera, sfumohen këto të dhëna ndërkombëtare për korrupsion të lartë, mungesë infrastrukture, etj. Përfitimi politik i Ramës është në tavolinë, sepse s’do jetë aq i sulmuar. Opozita e ka të vështirë të mos jetë dakord me investimin që bën familja e Trump në Shqipëri, me frikën s’e s’do ta ketë mirë me Presidentin.
S’ka lidhje Trump politikisht me Berishën. Berisha së pari është kujdesur të bëjë rishpërndarjen e të ardhurave, por ishte i paqartë se ku do gjenden të ardhurat. Është fjalë e përgjithshme që do ul korrupsionin. Të pretendosh që je forcë e djathtë, sovraniste, të rrisë tarifat e importeve për prodhimet bujqësore, blegtorale, etj. Si Rama, si Berisha, asgjëkundi s’i bazojnë premtimet.
Po u thonë qytetarëve ndonjë gjë që ngjan si program. Këta s’kanë respekt për qytetarët, i konsiderojnë si qenie të gjalla që jetojnë për stomakun, jo për mendjen. Bilanci me të vërtetat u del negativ”.
I pyetur a ka kaq shumë pushtet në Shqipëri Aleks Soros, Bejko tha:
“Di të them që Sorosi në vetvete gjithkund ku ka qenë ka pasur influencën e tij, për mirë apo për keq. Në Shqipëri dihet që Rama dhe Veliaj ishin në garë se kush do ishte më i afërt te Sorosi i madh dhe i vogël. Aq sa thuhej që Rama kishte Sorosin e madh dhe Veliaj Sorosin e vogël. Sorosi padiskutim që ka pushtet, por jo çdo politikë amerikane ndikohet te Sorosi”.



