Anëtarja e Këshillit Bashkiak të PD në Elbasan Doris Madhi u pyet në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi dyshimet se si mori krimi tenderin nga Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizime me vlerë 7 milionë euro. Madhi tha se nuk dëshiron të shprehet në lidhje me hetimet, por theksoi se banda më e rëndësishme është vet Bashkia e Elbasanit. Ajo theksoi se 75 për qind e ngarkesës së punimeve në qytet vitet e fundit janë marrë nga një firmë e vetme.
“Është një çështje në duart e SPAK-ut dhe nuk mendoj se më takon mua të shprehem në lidhje më vërtetësinë dhe këto hetime. Sot banda më e rëndësishme që uzurpon qytetin e Elbasanit është Bashkia e Elbasanit, aparati i administratës, në bashkëpunim me ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, të cilat kanë realizuar këtë tender dhe e kanë kthyer Elbasanin në një qytet të pajetueshëm. Prej muajsh jetojmë në një gjendje që është katastrofë e vërtetë. Është paralizuar trafiku, lëvizja e qytetarëve dhe është vënë në rrezik jeta e tyre. Nuk ka sinjalizime në rrugët ku punohet. Është e vështirë të kalosh aty! Ne kemi patur debate në Këshillin Bashkiak, i fundit ka qenë në mbledhjen e muajit tetor, që i kam kërkuar kryebashkiakut Llatja llogari në lidhje me këtë tenderim. Janë distancuar nga kjo kontratë, duke thënë që e vetmja gjë që kemi në dispozicion është të vëmë gjoba. Është një firmë që gati rregullisht fiton tendera në qytetin e Elbasanit, jo vetëm lidhja me UKT, por edhe sistemimin e rrugëve apo objekte të tjera tenderimi. Është një firmë që po të shikoni te Prokurimet ka 75 për qind të ngarkesës së punimeve në këtë qytet prej vitesh. Jo vetëm lidhja me UKT, por edhe sistemimin e rrugëve dhe objekte të tjera tenderimi. Nuk mund ta them deri në ç’pikë ka ndërhyrë krimi në qytetin e Elbasanit. Mund të them me përgjegjësi të plotë që është Bashkia Elbasan përgjegjëse për të gjitha ato që po ndodhin në qytet. Ne asnjëherë s’marrim informacion edhe kur e kërkojmë në mënyrë shkresore”.
Lidhur me kontratat me inceneratorin, Madhit tha që ka dyshime se kjo kontratë mbahet në këmbë nga një aferë korruptive.



