Deputetja socialiste Pranvera Resuli i konsideroi si “legjenda urbane” dhe “teori konspirative” pretendimet që kullat dhe ndërtimet në Tiranë ngrihen nga paratë e pista. Duke folur në MCN Live Resuli tha se nuk i beson ata që thonë se po të ikin këto para do të bjerë regjimi.
E ndalur te organizimi i brendshëm në selinë rozë, Resuli tha se Partia Socialiste ka një strukturë, një riorganzim dhe risi, ndryshe nga opozita.
Besoj që edhe seanca e sotme Parlamentare do të filloj me të njëjtin aksion nga ana e opozitës. Opozita është në të drejtën e vet të fajësoj mazhorancën për të gjitha situatat jo normale në të cilat ndodhet. Mazhoranca po respekton rregulloren e Parlamentit, ligjin, kushtetutën, madje edhe në veprime ekstreme të opozitës, që kanë kaluar në dhunim të objektit brenda seancës parlamentare. Përdorimi i Gardës ka qenë në limite, në minimumin e veprimeve vetëm për të garantuar seancën. Pamjet brenda seancës nuk nderojnë asnjë opozitë. Do donim shumë të kishim seanca normale parlamentare. Shqiptarët meritojnë jo vetëm të kenë qeverisje të mirë, por edhe opozitë normale. PS ka strukturë. Kemi pasur mbledhjet e asamblesë në shumë qarqe, dhe jemi njohur me mënyrën e re të organizimit të PS, që personalisht e kam quajtur gjetje fantastike. Është gjithmonë risi PS, ndryshe nga opozita. Është fakt që PS ka super organizim. Për ne që jemi pjesë e brendshme, sa mbarojnë një palë zgjedhje, PS fillon riorganizimin për zgjedhjet e ardhshme. Ne fillojmë organizimin e strukturave tona partiake nga një anë. Sigurisht është edhe qeveria për të siguruar mirëqeverisjen”.
E pyetur mbi Ministrinë e re për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Resuli tha:
Koncepti i ekonomisë qëndron më mirë se sa te financat. Mundësi menaxhimi edhe financat dhe ekonomia bëhet e vështirë të menaxhohen bashkë. Inovacioni hyn kudo dhe baza e zhvillimit ekonomik do mbështetet në inovacion, kjo është e padiskutueshme. Edhe qasja e kulturës është pjesë e nënshtresave të sektorëve të zhvillimit të ekonomisë. Çdo sektor i ekonomisë do ketë ndikimin e vet, do marrë dhe do japë nga sektori i kulturës. Sepse në fund të fundit çfarë bën ministria e Kulturës?! Një nga elementët kryesor ka të bëjë me çështjen e ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Brenda e ministrisë së Kulturës është një ndërthurje e sektorëve të tjerë. Kur ishte një dikaster më vet a nuk ishte kjo akuzë, që Butrinti po i jepet privatit për interesa klienteliste?! Kjo është kthyer në legjendë urbane. Nëse ka qeveria interesa klienteliste mund ta bëjë edhe duke qenë një dikaster i ndarë. Unë e shoh kulturën si pjesë të zhvillimit ekonomik të vendit. Sektori më i rëndësishëm ekonomik i vendit do jetë turizmi. Qeveria e ka të nevojshëm diversifikimin. Turizmi s’mund të bëhet vetëm duke u mbështetur te resurset natyrore, do duhet që trashëgimia kulturore të ndërthuret që të kemi turizëm gjithëvjetor”.
E pyetur mbi akuzat për pastrim të parave përmes sektorit të ndërtimit, deputetja u shpreh:
Është një lloj legjende urbane, një teori konspirative, sigurisht ka një bum në ndërtim, një rritje të çmimeve të ndërtimit, nuk është se jemi kundër këtij fakti... Edhe te investimet e huaja direkte, ka një rritje. Duhet të jenë 200 milionë euro pjesë e investimeve të huaja direkte, vitin e kaluar. Të huajit preferojnë të blejnë apartamente në Shqipëri dhe kjo jep efektin ‘kaskadë’ të rritjes së çmimeve. Këto legjendat urbane që vijnë para nga Dubai, refuzoj t’i komentoj. E kuptoj që sa herë flitet për mazhorancën ngrihen këto legjendat urbane dhe këto teoritë konspirative. Sidomos atë shprehjen që po të ikin këto para bie regjimi, nuk e besoj. E para s’e dimë që SPAK-u s’është duke investiguar. Kur ka kaq shumë komente publike mbi një fakt, SPAK-u merr një informacion, e ka në gjenezën e vet për ta bërë këtë gjë. Jam shumë e sigurt që është duke e bërë. Nuk e përjashtoj që shërben edhe si sektor për pastrimin e parave. Ndodh në gjithë botën. Por disa akuza, dhe po marr një shembull, duhen parë bilancet e firmave që ndërtojnë, ky është një argument që nga ana fiskale vlen. Por cfarë kundërargumenti do kisha unë, ne vijmë nga një ekonomi informale, s’mund të pretendojmë që bilancet e kompanive që deri dje s’u është kërkuar deklarim, të kenë të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar investimet”.



