Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja nuk është e para në vend. Në dy dekada prokurorë e gjyqtarë janë vrarë, kërcënuar, vendosur tritol e deri tek marrë peng familjarët e tyre.
Emisioni FactCheck sjell një kronologji të mesazheve të krimit ndaj drejtësisë.
Fier 2007 / Atentati i parë në sallë gjyqi
Sot, pjesë e Gjykatës së Posaçme dhe ish-kryetare e GJKKO-së, Irena Gjoka, në vitin 2007 me mbiemrin Manoku, ra pre e një atentati. Ndaj saj u qëllua me armë brenda sallës së gjyqit, por fatmirësisht nuk humbi jetën dhe mbeti e plagosur.
VLORË 2011/ VRAJSA E GJYQTARIT SKERDILAJD KONOMI
Më 9 shtator 2011, gjyqtari i Gjykatës së Parë të Vlorës, Skerdilajd Konomi, u vra me eksploziv të vendosur në makinën e tij.
31 gusht 2018 / Krimi i pasionit i merr jetën gjyqtares
Ishte gjyqtarja e Shkodrës, Fidez Hafizi, ajo që do të ekzekutohej me 5 plumba pistolete nga ish-bashkëshorti i saj dhe babai i fëmijëve.
Fadil Kasemi, për këtë krim, është dënuar me burgim të përjetshëm nga ish-Gjykata për Krime të Rënda dhe aktualisht ndodhet në qeli.
ELBASAN MARS 2019, VRAJSA E AVOKATIT GURRA
Avokati Ravik Gurra u ekzekutua me armë zjarri në një lokal në Elbasan, në kulmin e tensioneve mes grupeve kriminale, duke treguar se edhe avokatët nuk ishin më të paprekshëm përballë dhunës.
2019/ Pistoleta në gojë dhe dhunimi burrit të Saida Dollanit
Në 2019 rasti i rëndë do të shënohej me përdorimin e armës dhe kërcënimin duke ja vendosur pistoletën në gojë bashkëshortit të kryetares së Apelit në Gjykatën e Posaçme. Autor i dyshuar dhe ekstraduar i kësaj ngjarje është Fabio Ballabani. Sipas hetimeve ai rezulton se ka dhunuar bashkëshortin e Saida Dollanit, gjyqtares së apelit e cila ka gjykuar edhe dosjen e grupit kriminal të Emiliano Shullazit.
DURRËS NËNTOR 2019
Më 1 nëntor 2019, një atentat në Shkozet ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja, sot deputet, shkaktoi vdekjen e shoferit të tij, Andi Maloku, ndërsa vetë prokurori dhe një tjetër pasagjer mbetën të plagosur.
Dhjetor 2019 / Tritol makinës së Drejtuesit të Prokurorisë
Automjetit të Drejtuesit të Prokurorisë asokohe, prokurorit Albert Kuliçi, iu vendos tritol dhe nga shpërthimi, fatmirësisht, nuk pati të lënduar.
Prill 2021/ Tritol vëllait të Gjyqtarit të Posaçëm
Krimi nuk ka kursyer as familjarët e magjistratëve. Në prill 2021, tritoli iu vendos shtëpisë dhe pronave në Mamurras të vëllait të gjyqtarit të posaçëm asokohe, Bibë Ndreca.
QERSHOR 2021 / VRAJSA SAPO DOLËN NGA GJYKATA E TIRANËS
Autori: Mexhit Picari. Autori hyri në lokal, qëlloi me armë disa herë (raportohet për 4-5 plumba). Viktima u vra në vend, ndërsa avokati Adriatik Cama u plagos dhe viktimë mbeti Kudrejt Saliaj, ish-dhëndri i Picarit.
SHTATOR 2023 / KËRCËNOHEN TRE GJYQTARË TË APELIT
Teksa tre gjyqtarët e Apelit Tiranë, Edlira Petri, Valdete Hoxha dhe Luftie Çelami kanë dhënë vendimin për grupin e personave që goditën me armë Inez Hajrulla, të pandehurit kanë shpërthyer në kërcënime ndaj tre gjyqtarëve. Ngjarja ka ndodhur në 16 shtator 2023, kur gjykata e Apelit la të paprekur vendimin e gjykatës së Vlorës që dënonte me 35 vite dhe 25 vite burgim anëtarët e grupit.
TETOR 2023/ PLANI I ELIMINIMIT TË PROKURORES DOLOREZA MUSABELLIU
Artan Tafani (i penduar i drejtësisë) deklaroi se grupi i Laert Haxhiut kishte planifikuar të vriste prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliun, si dhe të kërcënonte familjen e saj e po ashtu edhe Prokuroren Merita Selimi.
PRILL 2024 / TRITOL BANESËS SË GJYQTARIT TONIN STËRKAJ
Kur ora shënonte 02:59 e mëngjesit të 28 prillit 2024, një person i kamufluar me kapuç afrohet pranë banesës së familjes Stërkaj dhe në më pak se 10 sekonda vendos eksplozivin me fitil dhe largohet. Dëmet materiale u shkaktuan, ndërsa ky ishte një mesazh kërcënues për gjyqtarin në stilin mafioz dhe mbetet një ngjarje e pazbardhur.
MAJ 2024 - SULMI NDAJ AVOKATIT SOKOL MËNGJESI
Vendndodhja: Tiranë (zona e ish-Bllokut). Ngjarja: Avokati u sulmua fizikisht nga disa persona dhe mbeti në gjendje kritike për disa javë.
SHKURT 2025 / KËRCËNIM NDAJ GJYQTARIT TË FIERIT
Gjyqtari i Fierit, Vladimir Cjap, raportoi se ishte kërcënuar nga një individ i njohur me nofkën “Ben Qimja”. Unioni i Gjyqtarëve bëri apel për hetim dhe për masë për mbrojtje.
6 TETOR 2025/ VRAJSA E ASTRIT KALAJËS
Magjistrati Astrit Kalaja u vra teksa shpallej vendim në emër të republikës. Të plagosur mbetën dy persona palë në proces.



