Në një prononcim për mediat Tom Doshi tha se është thirrur në SPAK në lidhje me hetimet për zgjedhje në Rrogozhinë.
Ai bën me dije se ka patur një takim elektoral me një person, pa ditur që ai ishte në përgjim.
Doshi mohoi të jetë pyetur në lidhje me hetimet për një grup të strukturuar kriminal, që dyshohet se pastron para dhe vepron në disa vende të botës.
(10:00) Tom Doshi paraqitet në SPAK
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi është paraqitur mëngjesin e sotëm në SPAK.
MCN TV ka siguruar pamjet kur Doshi hyn i buzëqeshur në ambientet e SPAK-ut.
Gazetari Arsen Rusta mëson se Doshi është thirrur si deklarues në lidhje me hetimin e një grupi të strukturuar kriminal që pastron paratë në Shqipëri.
“Jo zyrtarisht deri në këto momente, Mcn Live ka mund të mësojë se Doshi i është përgjigjur një fletë-thirrje të SPAK, të prokurores Manjola Kajana, që po heton një grup të strukturuar kriminal për pastrim parash, të cilët Shqipërinë e kanë destinacion të investimit të kapitalit të tyre, por qarkullojnë në disa kontinente paratë e krimit të organizuar. Në cilësinë e deklaruesit është pa avokat. Ajo çka kuptohet nga prania e këtij këtu, është që s’do jetë hera e fundit. Doshi sot s’është person nën hetim, por është në cilësinë e deklaruesit”.
Së fundmi gjatë një takimi në Shkodër Doshi rikonfirmoi kandidaturën e tij për deputet në këtë qark.
Ai u shpreh se Partia Socialdemokrate do të luftojë për të arritur mandatin e tretë në Shkodër.



